INUK padit komunën Petrelë, dha leje të paligjshme

29/01/2015 00:00

Inspektoriati Ndërtimor Ubranistik Kombëtar ka kallëzuar penalisht kryetarin e Komunës së Petrelës dhe disa anëtarë të Këshilit të Komunës për shpërdorim detyre gjatë procesit të dhënies së dy lejeve të ndërtimit.

“INUK kallëzon penalisht kreun e Komunës Petrelë, Ylli Pupi, anëtarët e Këshillit Teknik të kësaj komune për shpërdorim detyre në bashkëpunim, sipas neneve të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi kryeinspektorja Dallëndyshe Bici.

Sipas Bicit, kryetari i komunës nuk ka hartuar, miratuar dhe botuar në regjistrin e planifikimit të territorit, siç e parashikon ligji, asnjë plan të detajuar vendor ku janë dhënë lejet zhvillimore për dy fshatra turistike.

“Inspektoriati gjatë azhornimit në Petrelë ka vërejtur dy leje të dhëna për dy fshatra turistikë që shkelin ligjin në fuqi. Leje zhvillimore janë dhënë për grup banimi 2 dhe 3-katësh, me një kat nën tokë në Mullet, me një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 24 mijë e 500 metra katrorë. Kështu, të dyja lejet zhvillimore nuk janë të votuara në regjistër, as si akte ligjore e as si aplikime online për leje ndërtimi”, saktësoi Bici.

Përveç kallëzimit penal, kreu i INUK kërkon pezullimin nga detyra të kryetarit të komunës Petrelë dhe anëtarëve të Këshillit Teknik të komunës, për të cilët janë konstatuar shkelje.

Top Channel