Jahjaga dekreton ligjin për riorganizimin e disa ndërmarrjeve

29/01/2015 00:00

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka dekretuar ndryshimet që Kuvendi
i ka bërë në ligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe
pasurisë së tyre, ku bënë pjesë edhe Kombinati metalurgjik Trepça.

Presidentja kosovare ka thënë përmes një shkrimi në Facebook se qëllimi i këtij ligji është që t’i japë kohë dhe hapësirë Qeverisë së Kosovës të parandalojë likuidimin e Trepçës, të cilën Jahjaga e ka cilësuar pasuri të patjetërsueshme të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

E para e vendit shpreson që ndryshimi i ligjit do t’i mundësojë Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës të gjejnë zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme Trepçën, e cila sipas Jahjagës do të rrisë prosperitetin e të gjithë qytetarëve.

Ndryshimet në ligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre kanë zgjatur moratoriumin e Trepçës, duke i dhënë kohë Qeverisë nga 18 deri 36 muaj për të projektuar të ardhmen e Trepçës.

Derisa neni 22 i ligjit të vjetër parashihte që në fillim të muajit shkurt të këtij viti Trepça të shkonte në likuidim në rast se nuk kishte plan të riorganizimit, me formulimin e ri të këtij neni, plani për riorganizim është shtyrë edhe për 18 muaj.

Por sipas nenit të riformuluar, kjo periudhë mund të shtyhet edhe për 18 muaj nga Gjykata, pas një apo më shumë kërkesave për shtyrje të dorëzuara në Gjykatë nga Administratori që është Agjencia Kosovare e Privatizimit.     

Ndërsa riformulimi i Nenit 41 të ligjit të vjetër ia ka pamundësuar Gjykatës kompetente që të lëshojë vendimin për fillimin e procedurave për likuidim.

Top Channel