Rritja e frangës, kredimarrësit ankohen për rritjen e kësteve me 20%

29/01/2015 00:00

Luhatjet e frangës zvicerane ishin thjesht një tjetër lajm në morinë e informacioneve ekonomike, por me mijëra qytetarë të Europës Qendrore e Lindrore, që kanë marrë në vendet e tyre kredi hipotekare të bazuara në vlerën e kësaj monedhe, përballen sot me probleme të mëdha.

“Të gjithë më këshilluan të merrja kredi në franga zvicerane, se ishte më e leverdisshme”, tha për “New York Times”, polakja Katarzyna Szczerboëska (Shçerbovska). “Ashtu vepronin të gjithë – kujton ajo, – e ashtu bëra dhe unë”.

Sot në apartamentin e blerë falë asaj huaje, Katarzyna tregon sesi kësti i kredisë mujore i është rritur me të paktën 20%, që nga momenti kur Banka Qendrore e Zvicrës vendosi papritur të hiqte tavanin e monedhës së saj.

Në Poloni ka rreth 550.000 kredi hipotekare të lidhura me monedhën zvicerane, në Rumani rreth 150.000, në Kroaci 60.000 dhe Serbi 22.000. Për vite të tëra, bankat u rekomandonin huamarrësve që të mos i merrnin kreditë e tyre në euro, por në franga zvicerane, sepse me këtë monedhë normat interesit ishin edhe në periudhë afatgjatë më të favorshme.

Por ekspertët thonë se ky veprim ka qenë krejtësisht në interesin e tyre dhe se huadhënësit kanë spekuluar me forcimin e frangës. Arsyeja përse një situatë e tillë prek më shumë Europën Lindore ka të bëjë me faktin, që qytetarët në këto vende kanë informacione më të pakta në lidhje me financat e nuk mbrohen sa duhet nga shteti.

Vendimi i Bankës Qendrore zvicerane, i marrë nga mesi i janarit, qe një surprizë e madhe për të gjithë. Institucioni doli në përfundimin se do të gjendej përballë presionesh të mëdha po ta mbante frangën të lidhur me euron, pasi BQE-ja nisi një raund madhor stimujsh. Lëvizja ishte si tërmet për tregjet financiare dhe, brenda dites, franga u forcua me 23% të vlerës përballë monedhës së përbashkët europiane.

Top Channel