Merr fund odisea e fluturimit MH370, Qeveria malajziane e shpall zyrtarisht “aksident”

29/01/2015 00:00

Zhdukja e fluturimit “MH370” konsiderohet zyrtarisht “një aksident”, ku nuk pati asnjë të mbijetuar.

Me këtë deklaratë të saj, qeveria malajziane i jep fund hamendësimeve mbi fatin e avionit të nisur drejt Pekinit, e të zhdukur nga radarët 8 marsin e vitit 2014.

Operacionet e kërkimit do të vazhdojnë, por zyrtarisht 239 personat në bordin e “Boeing-ut 777-200”, prezumohen të vdekur.

“Me dhimbje të madhe e me zemër të thyer, sot në emër të qeverisë malajziane deklaroj se ajo çfarë ndodhi me fluturimin MH370 ishte një aksident, dhe se të gjithë pasagjerët e anëtarët e ekuipazhit kanë humbur jetën”, tha Azharuddin Abdul Rahman, drejtor ekzekutiv i Aviacionit Civil, Malajzi.

Deri më sot nuk është gjetur as edhe një gjurmë e vetme e avionit malajzian, edhe pse një operacion gjigant ndërkombëtar kërkimi ka nisur prej kohësh në jug të oqeanit Indian.

Deklarata e zyrtarëve malajzianë do t’i hapë rrugën kompensimit të familjarëve të viktimave. Analizimi i të dhënave satelitore e atyre të funksionimit të avionit, tregon se MH370-ta mund të ketë rënë diku në ujërat e thella në perëndim të qytetit australian të Perthit.

Deri tani, anijet e kërkimit kanë kontrolluar një sipërfaqe prej 18,000 km katrorë, ndërsa thellësia e ujit në zonë shkon deri në 6.000 metra. “Boeing-u” me 239 pasagjerët në bord u nis nga Kuala Lumpur për në Pekin dhe, pak pas ngjitjes, u zhduk prej radarëve. Më pas u konstatua se avioni duhet të ketë fluturuar edhe më tej me itinerar të ndryshuar.

Top Channel