Kontrolli i cilësisë së karburanteve, laborator i ri analizash në IQT

29/01/2015 00:00

Në një kohë kur palët vijojnë debatet për çmimin e karburanteve, cilësia e tyre mbetet ende problematike.

Gjatë vizitës në Inspektoratin  Qendror Teknik, tashmë me një godinë të rikonstruktuar dhe investime në  laboratorin teknologjik,  kryeministri Edi Rama u angazhua për përmirësim rrënjësor të cilësisë dhe kontrollit të të gjitha pikave të shpërndarjes.

Nëpërmjet një investimi prej 55 milionë lekë, laboratori me pajisjet moderne, kryen testimin e naftës dhe derivateve të saj, të cilat tregtohen në tregun e brendshëm, si dhe testimin e të gjithë hidrokarbureve te importit.

“Bashke më një sërë hapash të tjerë që janë planifikuar dhe do të hidhen njëri pas tjetrit në muajt në vijim nga Ministria e Energjisë për të vendosur kontrollin online të të gjitha pikave të karburantit dhe për të shmangur kështu qoftë evazionin e jashtëzakonshëm, qoftë edhe manipulimin me cilësinë ne jemi të bindur se në fund të këtij viti do të mund t’i themi shqiptarëve se makina e tyre nuk është më e kërcënuar nga shkatërrimi i gjithë këtyre viteve për shkak të mungesës së cilësisë së karburanteve dhe nga ana tjetër të kemi më shumë të hyra në buxhetin e shtetit nga kjo industri që po vihet më në fund në binarë pas një dekade të tërë rrënimi dhe transformimi në një industri të korrupsionit më mafioz që ka njohur Shqipëria në 10-vjecarin e fundit”, tha Rama.

Ejana Xhixho, drejtoresha e Inspektoratit  Qendror Teknik tha se në këtë laborator nëpërmjet 58 metodave kryhet analizimi i certifikuar dhe se në vitin 2014 nga 6200 kampione karburantesh të marra nga analizimi, rezultoi se 400 kishin shmangje të standardeve të cilësisë.

Top Channel