Kosovë, arsimi të premten në grevë. Bashkohet edhe shëndetësia

29/01/2015 00:00

Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka paralajmëruar grevë një ditore për të premten, me kërkesë zbatimin e Kontratës Kolektive.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari u ka bërë thirrje të gjithë nxënësve që të mos marrin nesër pjesë në mësim pasi procesi mësimor nuk do të zhvillohet. Ai tha se qeveria duhet të marrë hapa sa më të shpejtë për t’i plotësuar kërkesat e tyre.

“Do ta kuptoja qeverinë nëse ne do të bënim grevë për pagat, por ne po bëjmë grevë për kontratën, e cila në gjithë botën e qytetëruar ndoshta mund të kërkojë 5 vjet negociata, por pasi nënshkruhet nis zbatimin. Pra, SBASHK-ut nuk i mbetet rrugë tjetër. Nëse qeveria vërtet brengoset për nxënësit, siç thotë, le të ulet me ne në tryezë dhe ne do t’i prezantojmë kërkesat tona. Madje, le të na japë afat në letër dhe ne do t’ia prezantojmë anëtarësisë sonë”, ka deklaruar Jashari.

Thirrjes së SBASHK për grevë iu bashkua edhe Sindikata e Universitetit Shtetëror. Kryetari i saj, Bardh Bardhi bëri të ditur se edhe ata do t’i bashkohen të premten grevës, me përjashtim të tri fakulteteve, siç është ai Elektroteknik, ai i Makinerisë dhe ai i Filozofisë.

“Nesër ne nuk do të punojmë nga ora 8 deri në orën 16, orari i plotë i punës. Dhe të gjitha fakultetet, përveç tre prej tyre, nuk do t’i bashkohen grevës pasi kanë shprehur dyshimet e veta. Ne i bëjmë thirrje Këshillit Drejtues dhe kryetarit të tij se e ka për detyrë, sipas statusit të universitetit, që të nënshkruajë kontratën kolektive dhe të nisë zbatimin e saj”, ka thënë Bardhi.

Pas grevës së të premtes do të diskutohet edhe për grevë të përgjithshme. Ndërprerje 24-orëshe të punës për të premten ka paralajmëruar edhe Sindikata e Shëndetësisë.

Kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla ka thënë se janë të qarta kërkesat e sindikalistëve dhe pa u realizuar ato nuk tërhiqen. Drejtori i SHSKUK-së, Curr Gjocaj ka siguruar se janë marrë të gjitha masat që nga kjo grevë të mos dëmtohen pacientët.

Top Channel