20 mijë hektarë pyje me pisha në rrezik, Koka: Do të fillojmë trajtimin kimik

29/01/2015 00:00

Rreth 20 mijë hektarë pisha në vendin tonë janë në rrezik për shkak të sëmundjes së procesionares dhe se për 23 vjet me radhë askush nuk ka ndërhyrë për ta parandaluar atë, duke shkaktuar kështu një dëm të konsiderueshëm në pyjet tona.

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, tha se së shpejti do të ndërhyhet për eliminimin e larvave sipas fazave të duhura.

“Një pjesë e pyjeve shqiptarë për rreth 20 mijë hektarë janë dëmtuar nga një sëmundje që pengon zhvillimin dhe bën zhdukjen e bimësisë, që është procesionarja, e cila nuk është një sëmundje që gjendet vetëm në pyjet shqiptare, por edhe në vende të tjera europiane. Por, ndryshe nga shumë vende të tjera, të cilat kanë marrë aksione të përvitshme për zhdukjen e kësaj sëmundjeje, në Shqipëri diçka e tillë nuk ka ndodhur. Pikërisht dje në mbledhjen e qeverisë është marrë një vendim shumë i rëndësishëm për të bërë një ndërhyrje për eliminimin e kësaj sëmundjeje, pasi është konsideruar një emergjencë kombëtare dhe besoj se shumë shpejt do të fillojmë nga puna”, u shpreh ministri Lefter Koka.

Për të luftuar këtë sëmundje të pishave, përveç Ministrisë do të përfshihet edhe komuniteti  i zonave të prekura. Ministri Koka tha se gjatë vitit 2014 janë mbjellë 2.5 milionë fidanë dhe procesi i mbjelljeve do të vijojë.

Ai ka qenë i pranishëm në inaugurimin e Parkut Botanik, që shtrihet në një hapësirë prej 83 mijë metrash katrorë në kampusin e Universitetit Bujqësor në Kamëz.

50 lloje pemësh janë mbjellë në këtë park, i cili do të shërbejë jo vetëm për studentët e Fakultetit të Shkencave Pyjore për orët e praktikës, por edhe për komunitetin e zonës, që do ta shfrytëzojë si ambient çlodhjeje.

Ministri Koka ka vlerësuar me çertifikata mirënjohjeje inxhinierë të pyjeve, të cilët për vite me radhë kanë kontribuuar në këtë fushë.

Top Channel