Berisha: E bëtë Shqipërinë Kolumbi. Rama: Rezultatet tregojnë të kundërtën

29/01/2015 00:00

Akuzave dhe sulmeve të opozitës, me protagonist kryesor ish-kryeministrin Berisha, për lidhje të qeverisë me narkotrafikun dhe përfaqësuesit e botës së krimit, u gjeneruan duke u kanalizuar te Forcat e Armatosura, sapo kryeministri Edi Rama bëri me dije rënien e helikopterit të drejtuar nga një ushtarak shqiptar.

Sali Berisha: Çan ferrën piloti i Gjeneral ‘Trafikut’ dhe na bën trafik ndërkombëtar për të provuar se shqiptarët, jo vetëm që Shqipërinë me këtë qeveri e kanë kthyer në Kolumbi, por do të kolumbizojnë edhe vende të tjera.

Kryeministri Edi Rama: Ky major është në strukturat e Forcave të Armatosura prej 18 vitesh. Gradën e Majorit e ka marrë në vitin 2009. Tani, çfarë kuptimi ka që ne t’i hyjmë një grindjeje, a është Majori juaj apo është i yni?

Jozefina Topalli: Çfarë prisni ju të ndodhë gjë tjetër, që ministrja të japë dorëheqjen?

Taulant Balla: Zotëria në fjalë është marrë në punë në vitin 1996 si pilot, nga Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të asaj kohe, Sali Berisha. I është dhënë medalje nga prilli i 2007-s deri në prill të 2013-s plot pesë herë, me radhë nga të gjithë ministrat e Partisë Demokratike. Tani për këtë pilotin kush mban përgjegjësi? Prefekti i PD-së në Berat është në dosjen e hetimit në drogën e Xibrakës. Mos u nxitoni kur bëni akuza, sepse historikisht ju të PD-së një problem keni. Sa herë që mund të dilni të bëni një akuzë për një çështje të caktuar, në fund akuza përfundon në shtëpinë tuaj.

Lajmi i rënies së helikopterit e gjeti debatin parlamentar në replika për çështjen e drogës dhe kriminalitetit, që mesa duket opozita e kishte vendosur në krye të axhendës parlamentare në këtë seancë, të parën joformale pas ndërprerjes së bojkotit gjashtëmujor.

Sali Berisha: Kjo është qeveria e ‘Hakmarrjes për Drejtësi’ nga kreu i saj deri te ministrat me radhë.

Kryeministri Edi Rama: Të çohesh dhe të këmbëngulësh që gjithë aktiviteti i fuqishëm dhe i vendosur antidrogë dhe antikrim i Policisë së Shtetit nuk janë rezultate të dukshme dhe të prekshme të një politike tërësisht të re në luftën kundër krimit, është fat për ne si qeveri, por është fatkeqësi për të gjithë ata, që ju kanë votuar.

Sali Berisha: Të ngrihemi dhe të cojmë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme si kusht i të gjitha kushteve për të shpëtuar procesin e integrimit nga kthetrat e krimit.

Erion Braçe: Nuk ka krim më të madh shtetëror sesa të vrasësh kundërshtarët e tu politikë në mes të bulevardit. Kjo është e vërteta.

Sali Berisha: Vrasësi është ky këtu (referuar kryeministrit), që i solli për bllokun e atij aty.

Erion Braçe: I ke dalë zot atyre vrasjeve. Jepi fund. Drejtoju organit të Prokurorisë vetë personalisht.

Ky debat mori orë të tëra në Parlament, ku rendi i tij ishte krejt tjetër. Më pak u fol për ekonominë. Më shumë sesa përmbajtja e aktit për rishikimin e buxhetit, që ishte pjesë e kësaj seance e që demokratët e cilësuan atë antikushtetues, ndërsa socialistët i rikujtuan se të tilla ka pasur disa qeveria e mëparshme. Demokratët, përmes Berishës, risollën akuzat për energjinë dhe marrëveshjen me CEZ, për të cilin Berisha tha se do të kërkohet prej opozitës komision hetimor.

Përballë akuzave të opozitës, se qeveria nuk përfaqëson me interesat e shqiptarëve, ishte kreu i Komisionit të Ekonomisë Braçe, që publikoi foton e makinës me të cilën është protestuar për çmimin e karburantit nga kreu i PD, me vlerën e regjistruar 111 milionë lekë, tha ai, fakt të cilin e përdori për kundërpërgjigje të pyetjes: a përfaqësohen kështu shqiptarët?

Top Channel