Meksikë, shpërthen kamioni me gaz pranë maternitetit, 2 të vdekur, dhjetëra të plagosur

29/01/2015 00:00

Shpërthimi i një kamioni që transportonte gaz natyror pranë një materniteti, gjatë së enjtes në pjesën perëndimore të qytetit të Meksikos, ka shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të ndërtesës, ndërkohë që media lokale raporton për 2 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.

Pamjet televizive tregojnë punonjësit e kërkim-shpëtimit të futen mes rënojave të shpërthimit, ndërsa kryebashkiaku Miguel Angel Mancera, bëri të ditur se mes dhjetëra të plagosurve shumica janë gra dhe fëmijë, por edhe se shumë të tjerë janë evakuuar nga vendngjarja. Shumë prej të plagosurve janë dëmtuar prej ciflave të xhamave.

Shumë zona të qytetit të Meksikos nuk kanë vende të posaçme furnizimi me gaz, ndaj dhe e vetmja mënyrë për ta dërguar këtë mjet të domosdoshëm në to është përmes transportit me kamionë.

Angel Mancera ka bërë të ditur se trupi i një femre është gjetur brenda spitalit, ndërsa më herët tha se të paktën 54 persona ishin të plagosur, 22 prej të cilëve fëmijë.

Shpërthimi ngriti një shtëllungë tymi mbi vendngjarje, ndërsa një tjetër problem është se të dëmtuarit janë dërguar në një spital të afërt, duke pasur mungesa të konsiderueshme autoambulancash, sipas shefit të njësisë lokale, Rubalcaba.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel