Rusia: Mbështetja e Perëndimit ndaj Kievit mund të çojë në “katastrofë”

29/01/2015 00:00

I dërguari i Rusisë në organizatën mbikëqyrëse të sigurisë në Europë, OSBE, ka bërë thirrje ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Europës këtë të enjte të ndalin mbështetjen ndaj “partisë së luftës” në Ukrainë, si dhe paralajmëroi rrezikun e një “katastrofe” në rast vazhdimi, raporton agjencia e lajmeve Interfax.

“Do të doja t’u bëja apel shteteve me ndikim të lartë ndaj udhëheqësve të Kievit, mbi të gjitha Uashingtonit. Ka ardhur koha t’u japin fund mbështetjes ndaj partisë së luftës në Ukrainë”, tha i dërguari rus në OSBE, Andrei Kelin. “Si rezultat i këtyre zhvillimeve mund të ndodhë vetëm një katastrofë e madhe”.

Rusia ka akuzuar vazhdimisht Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për përshkallëzimin e dhunës në lindje të Ukrainë. Perëndimi akuzon Moskën nga ana tjetër për frymëzimin dhe përkrahjen e kryengritjes së prorusëve me armatime dhe forca ushtarake.

Presidenti rus Vladimir Putin tha më herët gjatë kësaj jave se ushtria ukrainase ishte thjesht një legjion i NATO-s, i dërguar enkas për të frenuar gjeopolitikisht Rusinë. “Është koha t’i japim fund mbulimit të veprimeve antinjerëzore të Kievit, pasi është e papranueshme t’i nxisim ata drejt vazhdimësisë së luftës në lindje të Ukrainës”, tha Kelin.

Rusia mohon akuzat se ka dërguar parà, armatime apo trupa në lindje të Ukrainës, ku trazirat e shkaktuara prej separatistëve prorusë nisën vetëm pak muaj pas rrëzimit të Presidentit të mbështetur nga Moska, Viktor Yanukovich, përmes protestave në rrugë.

Ndërkohë, Bjellorusia ka deklaruar këtë të enjte se është e gatshme të presë raundin e ri të bisedimeve mes Ukrainës, Rusisë dhe OSBE-së, mbi krizën në lindje të Ukrainës, madje ka bërë të ditur se diskutimet do të zhvillohen më 30 janar në Minsk, siç raporton Itar-TASS.

“Grupi i kontaktit ka informuar Ministrinë e Jashtme bjelloruse se nesër, më 30 janar, ata duan të zhvillojnë raundin e ri të bisedimeve”, tha zëdhënësi i kësaj Ministrie, Dmitry Mironchik.

Ndërsa nga Kievi bëhet e ditur se 5 ushtarë ukrainas dhe 3 civilë janë vrarë si rezultat i luftimeve në rajonet lindore të kontrolluara prej separatistëve gjatë 24 orëve të fundit, duke mos raportuar asnjë tërheqje nga dhuna dhe përplasjet me rebelët prorusë.

“Informacioni se Debaltseve mund të rrethohet nuk korrespondon me faktet. Vija e luftës atje është stabilizuar”, tha zëdhënësi ushtarak Andriy Lysenko, gjatë një deklarate televizive. Ministria e Brendshme njoftoi për 3 civilë të vrarë nga bombardimet e vazhdueshme të rebelëve në qytet, si dhe në zonat e rrethuara.

Top Channel