Hezbollah, mesazh kundër luftës Izraelit

29/01/2015 00:00

Izraeli deklaroi se ka marrë një mesazh nga grupi Hezbollah ku shprehet
interesi i militantëve për të mos përshkallëzuar përplasjen e armatosur
në Sheba, rajon i kontrolluar prej Izraelit, por që sovranitetin e të
cilit e pretendon edhe Libani.

Ministri i Brendshëm, Moshe Yaalon tha se mesazhi u mor nëpërmjet misionit paqeruatjës të Kombeve të Bashkuara, UNIFIL. Ai shtoi se pavarësisht këtij mesazhi, forcat e armatosura izraelite në zonë do të jenë në gjendje të plotë gatishmërie deri në qetësimin e situatës.

Një ditë më parë, një ushtar spanjoll i OKB-së dhe dy ushtarë izraelitë humbën jetën si pasojë e sulmeve me raketa të grupit të armatosur Hezbollah. Izraeli u kundërpërgjigj duke sulmuar disa objektiva në jug të Libanit ku dyshonte se fshiheshin militantët e kësaj organizate.

Në një komunikatë pas sulmit, Hezbollah tha se ai ishte ndërmarrë në shenjë hakmarrjeje ndaj një bombardimi ajror të Izraelit në jug të Sirisë ku gjetën vdekjen 6 militantë të organizatës dhe një gjeneral i Rojes Revolucionare iraniane.

Në 2006-ën Izraeli dhe Hezbollah u mbërthyen në një luftë të përgjakshme që zgjati dhjetra ditë si në territorin e Libanit ashtu edhe në atë Izraelit. Megjithëse e shkurtër, lufta shkaktoi qindra viktima dhe mijëra të zhvendosur në të dy anët e kufirit.

Konflikti përfundoi me një marrëveshje armëpushimi, por jo paqeje.

Frika se një shkëndijë mund të ndezë sërish një tjetër konflikt të ngjashëm këtë herë është në të dyja palët. Hezbollah është angazhuar fuqimisht në luftën civile në Siri në krah të presidentit Bashar al-Assad dhe nuk do e përballonte një luftë në dy fronte, ndërkohë që Izraeli përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme të parakohëshme dhe një luftë në këtë periudhë nuk i intereson asnjë partie.

Zona ku ndodhi sulmi i një ditë më parë, njohur ndryshe edhe si “Fermat Sheba” përfshin një rajon prej 14 kilometrash gjatësi dhe 2.5 kilometra gjërësi në perëndim të Malit Hermon. Deri në vitin 1967 kjo zonë kontrollohej prej Sirisë, por banorët kishin shtetësi libaneze.

Gjatë kësaj lufte Izraeli mori kontrollin e kësaj zone dhe i aneksoi ato në vitin 1981 së bashku me Lartësitë Golan, në një lëvizje që nuk njihet ndërkombëtarisht.

Libani thotë se fermat janë pjesë e territorit të tij, një pretendim që i njihet edhe nga Siria, por jo nga Kombet e Bashkuara, ndërsa prezenca izraelite është përdorur gjithmonë si justifikim prej Hezbollah për të mos u çarmatosur dhe për të ndërmarrë sulme ndaj ushtrisë hebraike.

Top Channel