Impiante ilegale përpunimi nafte, afati për plotësimin e kushteve, 23 shkurti

29/01/2015 00:00

Shumë impiante të përpunimit të naftës operojnë jashtë sferës së
monitorimit të shtetit, duke mashtruar qytetarët kur përpunojnë naftë
bruto dhe e hedhin në treg për konsumatorët, apo duke dëmtuar mjedisin
në zonat ku operojnë.

Duke synuar vënien nën kontroll të këtij sektori ilegal, ligji i ri për përpunimin e naftës rivendos kriterin për licensim të aktivitetit të impianteve të naftës duke i detyruar ato të pajisen me leje mjedisore dhe plotësuar një sërë detyrimesh të tjera.

“Kush do të funksionojë si impiant i përpunimit të hidrokarbureve ose duhet të licensohet si i tillë ndryshe do të mbyllen që të gjithë, ka qenë problem i vazhdueshëm, janë evidentuar dhe shkurti është afati i fundit, përndryshe vepron ligji”, tha ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.

Ligji i miratuar në muajin korrik, parashikon një periudhë tranzitore prej 6 muajsh, në mënyrë që impiantet ekzistuese të plotësojnë dokumentacionin dhe të aplikojnë për marrjen e licensës së përpunimit, afat që përfundon më 23 shkurt.

Impiantet e përpunimit të naftës kanë qenë shqetësim vecanërisht për zonën e Fierit ku qytetarët janë ngritur shpesh dhe në protesta kundër vënies së tyre në funksion, për shkak të sasisë së madhe të gazrave që lëshojnë në mjedis.

Top Channel