Itali, gjykatësi Mattarella, kandidatura e Renzit për President të vendit

29/01/2015 00:00

Kryeministri italian Matteo Renzi ka propozuar një gjykatës të lartë si kandidat të mundshëm për t’u bërë President i ri i vendit, një lëvizje kjo e së enjtes që u mirëprit nga partia e tij, por që mund të detyrojë me sforco një aleancë për reformat me rivalin opozitar, Silvio Berlusconi.

Edhe pse historikisht është konsideruar një figurë kryesisht ceremoniale, kreu i shtetit italian ka pushtet të rëndësishëm në periudhat e paqëndrueshmërisë politike, diçka që ndodh shpesh në Itali, pasi Presidenti shpërndan Parlamentin, thërret zgjedhjet si dhe zgjedh kryeministrat.

Rreth 1009 parlamentarë dhe zyrtarë rajonalë kanë nisur raundin e parë të votimit më 15:00 të së enjtes, gjatë të cilit një kandidat duhet të marrë 2/3-tat e votave për të fituar. Kjo vështirë se mund të ndodhë, por prej raundit të katërt e në vijim, që me shumë mundësi do të mbahet të shtunën, nevojitet vetëm shumica e thjeshtë.

Renzi ka përzgjedhur Sergio Mattarella, një jurist i Gjykatës Kushtetuese si dhe ish-ministër i Mbrojtjes, si kandidat të Partisë së tij Demokratike gjatë një takimi me elektoratin e PD-së, të cilët kanë pranuar unanimisht këtë kandidaturë.

Mattarella, vëllai i të cilit është vrarë nga mafia siçiliane në vitin 1980, mund të jetë “i aftë t’i garantojë Italisë 7 vjet udhëheqje të shquar”, tha Renzi. Ende nuk është bërë e qartë nëse Berlusconi do të mbështesë kandidaturën e Renzit, Mattarella, por ky mendohet të mos jetë mes personave të parapëlqyer të tij. Në vitin 1990, Mattarella u dorëhoq si ministër i Edukimit, në shenjë proteste ndaj një dekreti qeveritar që favorizonte perandorinë mediatike të Berlusconit.

Që në momentin kur Renzi tha se nuk do të përzgjedhë një kandidatë kompromisi, zgjedhja e Mattarella mund të çojë në një “distancim” politik mes dy udhëheqësve, aleanca mes të cilëve sa i përket reformave elektorale dhe kushtetuese ka krijuar përçarje edhe brenda PD-së së Renzit.

Top Channel