AAK dhe Nisma mbështesin protestën e VV

29/01/2015 00:00

Dy partitë opozitare në Kosovë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën i kanë dhënë mbështetje të menjëhershme protestës së re të njoftuar nga lëvizja Vetëvendosje për ditën e mërkurë, më 4 shkurt.

Duke folur për mundësinë e largimit të ministrit serb Aleksandar Jabllanoviç, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se qytetarët nuk do të lejojnë që të fyhen dhe nënçmohen edhe më tej nga vartës të kryeministrit Isa Mustafa.

“A e ka guximin kryeministri Mustafa të veprojë? Unë këtë nuk e di dhe nuk mund të flas. Por mund të them se ne si qytetarë të vendit nuk do të lejojmë më përçmimin, mohimin dhe arrogancën”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj po ashtu tha se çështja e Trepçës duhet të bisedohet vetëm në Kosovë, duke e shndërruar atë në ndërmarrje publike.

Ndërsa Nisma për Kosovën, përmes një komunikate për shtyp, ka konfirmuar mbështetjen për protestën dhe ka ftuar qytetarët, anëtarët dhe simpatizantët e saj që të marrin pjesë në të.

Nisma për Kosovën kërkon nga qeveria e Kosovës që protestën ta shohë si të drejtë qytetare të garantuar me Kushtetutë dhe që policia të jetë në mbrojtje të rendit dhe qytetarëve të vendit.

Top Channel