Trokitja e Galliani-t nuk shkoi dëm, Destro kalon tek Milani

29/01/2015 00:00

Nuk është ai Milani pretendent dhe as tundues financiarisht për
futbollistët, por troktija personalisht e Adriano Galliani-t në derën e
Mattia Destro-s ka funksionuar.

Sulmuesi 23-vjeçar ka pranuar ofertën e kuqezinjëve për të kaluar në formë huazimi nga Roma drejt Milanos me të drejtë blerjeje në fund të sezonit.

Njoftimin e ka dhënë vetë Destro në rrjetet sociale ku shprehet i kënaqur dhe i sigurtë për zgjedhjen e bërë.

Sipas mediave italiane, Milani ka derdhur menjëherë 700 mijë euro në arkat e Romës, ndërsa blerja përfundimtare do t’i kushtojë në total 16.5 milion euro, ndërkohë që vetë lojtari do të përfitojë 2 milion euro në sezon, gjithmonë nëse kartoni i tij do të blihet përfundimisht prej kuqezinjëve në muajin qershor.

Me këtë blerje, Inzaghi ka në dispozicion sulmuesin që kërkonte me ngulm, për të kaluar në 4-4-2, të paktën ashtu siç foli edhe në përfundim të humbjes dhe eleminimit nga kupa prej Lacios, ndërsa për Destro-n është një rikthim në Milano, ku ka luajtur me të rinjtë e Interit prej 2005 deri në 2010.

Top Channel