Tetova në raportet ndërkombëtare renditet si qyteti i dytë më i ndotur në botë, ndërsa prania e grimcave të dëmshme në ajër PM10 në këtë qytet është deri në 200 herë më e lartë se norma maksimale e lejuar.

Këto të dhëna shqetësuese i ka prezantuar në Parlament, para shefit të qeverisë dhe disa anëtarëve të kabinetit të tij, deputetja e PDSH-së Merali Ferati.

Ajo tha se ndotja ka ndikuar në dyfishimin e sëmundjeve të rënda tek banorët e Tetovës dhe për këtë situatë fajësoi partinë shqiptare në pushtet BDI, pasi kuadrot e saj për disa vite drejtojnë Ministrinë e Ambientit.

“Ju të BDI-së arritët të helmoni qytetin më të madh me shqiptarë në Maqedoni. Statistikat tregojnë se nga vitit 2010 dhe deri më sot, nga 1.500 të sëmurë me forma të ndryshme të kancerit numri është rritur në mbi 3.000 raste vetëm në Tetovë. Po ashtu, evidentohet një rritje e rasteve të sëmundjeve të sistemit respirator me mbi 1.000 raste në spitalin e Tetovës, ku shumica janë fëmijë”, derklaroi Ferati.

Ministri i Ambientit, Nurhan Izairi nuk ishte i pranishëm në seancë për t’iu përgjigjur këtyre akuzave, por zëvendësi i tij tha se ministria do t’i përgjigjet në formë të shkruar shqetësimit të ngritur nga deputetja opozitare.

“Meqenëse se çështja është shtruar në mënyrë të ndërlikuar dhe prek disa sfera, ne do të përgjigjemi në formë të shkruar”, deklaroi Stevo temelkovski.

Ndotësi më i madh i ajrit në Tetovë sipas banorëve është një fabrikë në afërsi të qytetit, që nuk përmbush standardet ekologjike.

Sektori civil në Tetovë ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Ekologjisë, Nurhan Izairi, i cili ka lejuar që kësaj fabrike t’i zgjatet leja e veprimit edhe për dy vjet.

Top Channel