Tjetër afat i ISIS për Jordaninë, Amani kërkon pilotin

29/01/2015 00:00

Një regjistrim i paverifikuar ku pretendohet se flet pengu japonez, Kenji Goto në duar të ekstremistëve të ISIS është postuar në rrjetet sociale. Gazetari japonez thotë se ai dhe një pilot jordanez do të vriten nëse Jordania nuk do të lirojë xhihadisten irakiane, Sajida al- Rishawi deri në perëndimin e diellit të ditës së enjte.

Al- Rishawi është një militante e Al Kaedës e cila është përfshirë në sulmet me bombë në Aman në 2005, ku u vranë 60 vetë.

Gjithsesi zëri që dëgjohet në regjistrim nuk bën të qartë nëse të dy pengjet do të lirohen në këmbim të lirimit të saj. Autoritetet japoneze thonë se po hetojnë regjistrimin e ri. Sipas korrespondentëve të huaj në Tokio, mbi bazë të mesazhit të fundit duket se ISIS nuk është gati të pranojë ofertën.

Qeveria japoneze duket se është bërë spektatore e dramës, pasi jeta e një qytetari të saj varet nga negociatat e ISIS me Jordaninë. Jordania është pjesë e koalicionit të drejtuar nga amerikani që ka zhvilluar sulme ajrore kundër shtetit islamik në Siri dhe Irak.

Të dielën ISIS njoftoi se kishte vrarë një tjetër peng japonez, Haruna Jukaven pasi kërkoi një haraç prej 200 milion dollarësh.

Më pas në një video të publikuar të martën një zë që pretendohet se ishte i gazetarit japonez tha se Jordania ka 24 orë kohë për të liruar xhihadisten irakiane. Tashmë në regjistrimin e ri, të publikuar në Youtube, sërish zëri i paverifikuar duket se zgjat edhe më tej afatin për qeverinë jordaneze.  

Kjo e fundit po zhvillon bisedime indirekte me militantët përmes liderëve fetarë e fisnorë në Irak për të siguruar lirimin e pengjeve.

Top Channel