Shkencëtarët: Virusi Ebola po ndryshon

29/01/2015 00:00

Shkencëtarët që po studiojnë virusin e Ebolës në Guine thanë se ai ka pësuar mutacion. Mbi 22 mijë persona janë infektuar me Ebola dhe 8795 kanë vdekur në Guine, Sierra Leone dhe Liberi.

Studiuesit në institutin Pasteur në Francë që identifikuan të parët epideminë në muajin Mars të vitit të kaluar po analizojnë qindra kampione gjaku nga pacientët në Guine. Ata duan të kuptojnë se si po ndryshon virusi dhe nëse ai mund të kalojë më lehtësisht nga njëri person tek tjetri.

“Virusi po ndryshon shumë. Kjo gjë është e rëndësishme për të diagnostikuar raste të reja e për trajtimin e tyre. Duhet të dimë si po ndryshon virusi në mënyrë që të përballemi me armikun”, tha eksperti i gjenetikës Dr. Anavaj Sakuntabhai.

Ndryshimi i virusit në kohë nuk është diçka e pazakontë. Ebola është nje virus RNA, si Hivi dhe gripi i cili ka shumë gjasa të pësojë mutacion. Kjo e bën virusin të përshtatet lehtësisht dhe rrit mundësitë që ai të bëhet më ngjitës. Doktor Sakuntabahi thotë se janë vërejtur shumë raste me ebola pa asnjë simptomë të virusit dhe sipas tij, këta janë njerëzit që mund ta përhapin virusin me lehtësisht.

“Një virus mund të ndryshojë duke u bërë më pak vdekjeprurës, por më shumë ngjitës dhe për këtë kemi frikë”,vijon ai.

Një tjetër shqetësim është mutacioni i virusit deri në pikën kur mund të transmetohet përmes ajrit. Gjithsesi nuk ka prova që të sugjerojnë se diçka e tillë po ndodh. Virusi vazhdon të transmetohet përmes kontaktit me lëngjet trupore të personave të infektuar.

Top Channel