Argjentinë, fakte të reja për vrasjen e prokurorit

29/01/2015 00:00

Fakte të reja dalin në dritë lidhur me vdekjen misterioze të prokurorit argjentinas Alberto Nisman. Kolegu i tij, Diego Lagomarsino thotë se prokurori i kishte kërkuar një armë pasi nuk kishte besim tek truprojat që e mbronin dhe kishte frikë gjithashtu për sigurinë e vajzave të tij.

Lagomarsino, një specialist kompjuterash dhe mik i prokurorit pohon se i kishte dhënë atij armën e zjarrit një ditë para se të gjendej i vdekur në apartamentin e tij në 18 janar.

“Unë i thashë atij se arma ishte e vjetër dhe se mund të mos ishte në gjendje të mbronte veten më të. Ai më tha të mos shqetësohesha pasi i duhej për ta pasur në kuti në rast se ndonjë i çmendur do t’i dilte para e do ta akuzonte për tradhëti”, tha Lagomarsino në një konferencë për shtyp.

Burri akuzohet për dhënien e armës së zjarrit, dikujt që nuk ishte pronari i regjistruar i saj. Ai është i vetmi person i akuzuar deri më tani.

Prokurori pritej të dëshmonte para kongresit lidhur me përpjekjet e qeverisë dhe presidentes Kristina Ferndandez de Kirchner për të mbuluar përfshirjen e Iranit në bombardimin e ndodhur në një qendër hebreje në Buenos Aires në 1994.

Ende nuk është përcaktuar nëse Nisman është vrarë apo vetëvrarë.

Shefi i sigurisë së Nisman, Ruben Benitez kishte koordinuar një grup sigurie prej 10 policësh për të mbrojtur prokurorin. Policia thotë se grupi kishte thyer protokollin duke shkëputur për disa oreë kontaktet me Nisman, në ditën e vdekjes së tij.

Në një fjalim televiziv dhe përmes 2 letrave, presidentja Fernandez akuzoi ish-agjentët e inteligjencës së kishin manipuluar Nismanin të ngrinte akuza kundër saj dhe më pas e kishin vrarë për t’i bërë edhe më shumë dëm asaj.

Të hënën liderja argjentinase njoftoi planet për të shpërndarë shërbimet e inteligjencës dhe për t’i zëvendësuar me një agjenci të re.

Top Channel