Mes pelenave, beberonit dhe lodrave…

29/01/2015 00:00

Alban Hoxha e di sa e vështirë është të rritesh pa njërin nga prindërit. Sapo i kishte mbushur 6 vjeç, kur i ati i tij Bekimi ndërroi jetë.

Sot, 22 vjet më pas, është vetë baba i një djali, që e ka quajtur Beko. Por, udhëtimin për rritjen e djalit do ta bëjë i vetëm. Bashkëshortja e tij, Dorina, mundi ta mbajë vetëm një ditë në duar të voglin, luftoi me vdekjen, por nuk ia doli…

Ajo nuk është më, por Albani mban në duar mrekullinë që ajo la pas…

“Pjesën nga sytë e sipër, flokët, i ka si unë, ndërsa hundën e buzët i ka si bashkëshortja ime”, tregon Albani.

Mamasë së Albanit, Mozës, i ka ndryshuar jeta pas ardhjes në jetë të nipit të saj.

“Beko është shumë i mbarë. Zgjohet vetëm për të pirë, grindet shumë pak, nuk më lodh dhe s’më bezdis fare, por thjesht më kënaq. Gjëja e parë që më kujton, Albanin kur ka qenë i vogël, i cili donte të shtrëngonte dorën. Ka ditë që e ka nisur edhe Beko këtë gjë”, thotë e ëma e Albanit.

Me gjithë pasiguritë e emocionet e prindit të ri, Albani është një baba shumë i kujdesshëm.

“Në fillim kisha shumë frikë, se më dukej si një vezë që mund të thyhej. Mundohesha që lëvizjet t’i bëja shumë ngadalë kur e merrja në duar, megjithatë tani jam mësuar falë konsultores, që më mësoi sesi ta mbaj. Madje tani më thonë që e mbaj më mirë sesa mund ta mbajë një nënë, apo më mirë se ç’e mban ime më”, shprehet Albani.

“As unë vetë nuk do ta besoja se Albani do të ishte kështu siç është sot. Për shembull edhe kur i përgatisim qumështin, më thotë vere beberonin në tavolinë sepse nuk e mban në nivel. Edhe sa i përket qumështit më thotë ta përgatis siç e kanë mësuar në konsultore”, tregon e ëma.

“Normalisht dihet sesa mashkulli mund të kujdeset për fëmijën e vet. Por mundohem që kohën e lirë ta shfrytëzoj sa më shumë me djalin dhe përpiqem t’i përgatis ushqimin, ta laj dhe herë pas here ta vë në gjumë. Mundohem të bëj gjithçka, që edhe djali ta ndiejë praninë time dhe të jetë i sigurt në krahët e babait të vetë”, thotë Albani.

Albani uron të rrisë një kampion të së nesërmes në futboll dhe shpreson që të bëhet sulmues, e ta ketë përballë ndërsa i vogli i tij do të shënojë gol.

Top Channel