Dhunë mbi nusen shtatzënë

29/01/2015 00:00

Janë bërë shkak disa grindje banale në shtëpi, që vjehrri dhe kunati të dhunojnë nusen. Ata nuk kanë kursyer grushtat dhe shkelmat mbi trupin e 21-vjeçares, edhe pse ajo ishte 8 muajshe shtatzënë.

Kjo ngjarje ka ndodhur 4 ditë më parë në fshatin Rremas të Lushnjes. Një e afërme e familjes së nuses tregon sesi ka ndodhur sherri, që për pak i mori jetën të resë.

“Për këtë ngjarje unë ua vë fajin pleqve dhe kunatit. Sa për historinë, ka qenë nusja e mbyllur në dhomë, ata kanë shkuar dhe kanë shqyer derën, e më pas e kanë rrahur. Motivet e këtij akti skandaloz ishin gjëra banale: përse bën punë, pse mbushe ujë, këtë s’duhet ta mbushësh etj., konflikte të jetës së përditshme. Shkaktare është plaka, ndërsa prej saj javë futur kunati dhe plaku e kanë shqyer derën. E kishin ngritur nga krevati dhe e rrëzuan në çimento, kush mund ta rrihte më fortë me grushta e shkelma”, tregon e afërmja.

Në momentin e sherrit, bashkëshorti i 21-vjeçares nuk ndodhej në shtëpi.

“Bashkëshorti me sa dimë është në anën e së shoqes. Kur ka ardhur e ka gjetur gruan në çimento dhe të gjakosur. Dhe në momentin që është përpjekur ta ngrinte atë, janë afruar i vëllai dhe i ati duke e dënuar edhe të shoqin e vajzës, madje duke e rrahur. Më pas, sapo u kanë shpëtuar, janë zvarritur drejt dhomës së vetë, por edhe atje, se i ati, e ëma apo i vëllai, kanë fikur dritat”, tregon më tej e afërmja.

Familja e të dhunuarës dhe bashkëshorti i saj nuk pranuan të japin asnjë deklaratë për ngjarjen, edhe pse dhuna e ushtruar ndaj saj është ekstreme, veçanërisht duke marrë parasysh edhe gjendjen e saj fizike.

“Nusja është edhe shtatzënë në muajin e tetë, e sërish ata s’e kanë marrë parasysh fare. As nuk donin ta dinin se çfarë ishte apo si ishte”, shprehet e afërmja.

21-vjeçarja e dhunuar barbarisht qëndron prej 4 ditësh në një dhomë të spitalit të Lushnjes. Mjekët konfirmojnë se ajo është në javën e 35-të të shtatzënisë dhe, fatmirësisht, goditjet e marra si pasojë e dhunës nuk rrezikojnë as shëndetin e saj dhe as të fëmijës.

“Ka ardhur një paciente e dhunuar, familjarët e së cilës pretendojnë se është dhunuar nga e vjehrra. Gjendja e pacientes nuk ka qenë e keqe, por përgjithësisht në gjendje të kënaqshme. Ajo ishte 35-javëshe shtatzënë dhe janë bërë konsulta me mjekët obstetër-gjinekologë, mjekët kirurgë dhe specialistin neurolog. Sa u përket dëmtimeve, ka kontuzione të lehta në fytyrë, por edhe në trup. Ka ekimoza të madhësive prej 5 mm apo 10 mm”, shprehet mjeku.

Dhuna barbare e vjehrrit dhe kunatit e kishte transformuar në pamje 21-vjeçaren e martuar në Rremas të Lushnjes. Ajo ka disa plagë në trup dhe gjendja e saj i ka shokuar të gjithë.

“E kam parë nusen dhe gjendjen e saj tashmë në spital. Krahasuar me atë gjendje që u shtrua në spital, sot është më mirë. Ka qenë shumë rëndë, e nxirë, e enjtur. Barkun e kishte shumë të fortë dhe fëmija nuk lëvizte”, tregon më tej e afërmja.

Në ditën e katërt të qëndrimit në spital, mjekët do të kryjnë një skaner për të vlerësuar nëse e reja ka dëmtime serioze në kokë. Ndërsa dy dhunuesit, vjehrri dhe djali i tij, aktualisht janë të ndaluar dhe po procedohen penalisht.

Top Channel