Topi: Situata politike e paqartë, ekonomia përtokë

29/01/2015 00:00

Kryetari i FRD-së, Bamir Topi gjatë një takimi të zhvilluar të enjten në Peshkopi me anëtarë dhe simpatizanë të FRD-së ka deklaruar se situata politike aktuale në vendin tonë është e paqartë dhe ekonomia rëndë.

Në këtë takim Topi shoqërohej edhe nga nënkryetari i kësaj partie, Gazmend Oketa dhe sekretarët Sali Shehu e Demir Gjergji. Në fjaleë e tij Topi u tregua skeptik me administrimin e zgjedhjeve të pritshme lokale, nga ana e KQZ-së, e cila sipas tij u vlerësua si produkt i politikës.

“Media duket se i ka bashkuar dy partitë politikë që mbajnë peng vendin”, tha Topi, i cili si argument për këtë konstatim solli në vemendje padinë e bërë me shumë bujë nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila çoi ish-ministrin Imami në Prokurori, ndërkohë që sot tërheq padinë.

“Një situatë e tillë konfliktuale politike është pasqyruar edhe në ekonomi, e cila padyshim që është në krizë”, tha Topi.

“Njerëzit vazhdojnë të mbajnë shpresat tek politika e cila në vazhdimësi i mashtron ata. Ndaj u bëj një thirrje nga Peshkopia, ridimensiononi vështrimin tuaj politik. Mos u shkoni mbrapa PS-së dhe PD-së që politika të mos mbetet domen i dy apo tre vetëve, që pastaj edhe ekonomia të mos mbetet domen i dy-tre monopoleve”, vijoi kreu i FRD-së.

Topi iu bëri thirrje pjesëmarrësve në këtë takim që të përgatiten seriozisht për zgjedhjet e ardhshme vendore, ndërsa sa i takon mënyrës sesi FRD-ja do hyjë e përfaqesohet në këto garë tha se për momentin nuk mund të flasë.

“Por, brenda moralit tonë që përfaqësojmë, ju garantoj se ne si forcë politike do të përfaqësohemi në këto zgjedhje me përfaqësuesit më të denjë të partisë”, tha më tej Topi.

Top Channel