Pëllumb Patrioti është babai i një djali 7-vjeçar, për të cilin kujdeset i vetëm, që kur i vogli ishte 7 muajsh. Bashkëshortja i braktisi pa thënë asnjë fjalë. 65-vjeçari u gjend përballë faktit, por nuk e mendoi asnjëherë si mundësi që djalin ta linte në shtëpinë e fëmijës, por vendosi që të bëhej edhe nënë për të.

“Iku nga dritarja e lë fëmijën vetëm. Në 11 të darkës shoh djalin vetëm. Unë nuk dija nga ta kapja, nga t’ia filloja, ishte e vështirë shumë. Atëherë vendosa të thërrisja komshien, e lau e ndërroi dhe unë ia mora zanatin. Megjithatë, ‘e theva një herë në mes’ se nuk dija ta laja. Ishte 7-muajsh, por e pata shumë të vështirë”, thotë Pëllumbi.

Kalvari i peripecive sapo kishte filluar. Për t’u kujdesur për djalin, hoqi dorë nga puna si punonjës komunaleje, nga të ardhurat e pakta me të cilat përballonte jetesën. Pas muajit të parë, që nuk pagoi qiranë e shtëpisë, ai e gjeti veten në rrugë të madhe.

“Isha në shtëpi dhe na nxorën jashtë, sepse nuk kishim të paguanim qiranë. Në atë kohë djali ishte 8-muajsh, shkuam fillimisht te Banka, pastaj te Piramida. Na dha një grua një jorgan e një batanije. Bëhet fjalë për muajin shkurt”, thotë Pëllumbi.

I vogli kaloi 3 dimra me çati të vetme mbi kokë, qiellin. Të atit iu desh ta lante, ta ndërronte e ta ushqente mes kartonash, me lutjen e përditshme për të mos rënë shi, apo për të mos bërë ftohtë.

“Jetonim te pisha e madhe, poshtë saj, te Piramida. Kisha ftohtë dhe shpesh babi më mbështillte me xhaketën e vetë. Ndërsa në rastet kur binte shi shkonim e flinim tek ura, nën të, edhe pse ishte shumë e frikshme. Sa herë i thoja babit që kisha frikë, më thoshte të mos kisha, sepse ishte ai aty me mua. I frikësohesha ujkut e dhelprës, pasi këto përralla më tregonte babi. Edhe kësulëkuqen”, tregon i biri.

Jetonin me ato që u dhuronin banorët e lagjes së dikurshme dhe të hollat, që Pëllumbi fitonte duke shitur kanaçe.

“Kanaçe kam mbledhur deri sa i u rrit në këtë moshë. Na jepnin 1-2 mijë lekë nëpër lagje”, tregon Pëllumbi. Mundohej të paktën t’i siguronte bukën e ditës djalit. “Fëmija hante 3 vaktet, ndërsa unë 1 ose asnjë, çfarë i mbetej atij, ia haja unë”.

“Gjithmonë babi ma ta përgatiste ushqimin kur isha më i vogël, ai më ndërronte, më vishte. Shpesh haja qumësht me biskota, apo kos me banane”, thotë i biri. Mundohej edhe ta mbante fëmijën pastër. “Robat i bleja 20-30 lekë në treg për ta ndërruar herë pas herë. S’ia laja, por i hidhja”.

“Kam kërkuar punë kudo, por më kanë thënë nuk ka punë për ty”.

Një vit më parë ishte dashamirësia e një njeriu të zakonshëm, që ndryshoi realitetin e tyre dhe u ktheu shpresën. Ai dëgjoi historinë e tij dhe i hapi derën e shtëpisë.

“I zoti i shtëpisë ku jemi tani, që është edhe vetë familjar, më thirri një ditë në rrugë, i erdhi keq për djalin e më tha hajde futu brenda. E lau çunin gruaja e tij, i bleu disa rroba. Dhe kur u thashë që s’kam lekë t’i paguaja, më tha hajde se s’të pyeti njeri”, tregon Pëllumbi.

“Të ardhurat e mia të fundit ishin 4 mijë lekë, të cilat më dukeshin si 40 mijë lekë, të cilat i racionoja, për të mos e lënë fëmijën pa ngrënë, lakuriq, apo të luajë bixhoz e të pijë alkool”.

Ata strehohen në mbrëmje në një dhomë, flenë bashkë në një krevat. Edhe pse e dinë që nuk është një zgjidhje e përhershme, Pëllumbi i gëzohet faktit se këtu mund të kujdeset siç ai do për veshjet e djalit, të cilat me shumë kujdes i lan, i hekuros dhe i vendos në valixhe, në mungesë të dollapit. Madje edhe i përgatit vaktet e mëngjesit dhe darkës.

“Çdo mëngjes babi më përgatit trahana, ndërsa darkave ndonjë patate me mish, por edhe sallatë”, tregon i biri.

Pavarësisht vështirësive, Pëllumbi e çon çdo ditë djalin në shkollë. Nuk mungon asnjë ditë, shkon i pari, i përgatitur me detyrat e shtëpisë. Ka një mësuese të përkushtuar dhe shumë shokë e shoqe, që e duan shumë. E ndërsa djali është në mësim, i ati e pret jashtë deri në përfundim të orarit të shkollës.

“Sa herë futem në shkollë, babi rri aty jashtë, te dera, në pritje të mbarimit të mësimit. Mua më pëlqen shumë shkolla, pasi të gjithë, mësuesja dhe shokët e shoqet sillen shumë mirë me mua. Por mbi të gjitha dua babin”, shprehet i vogli.

Pas shkollës, të dy drejtohen për në qendrën sociale, tek e cila djali kosumon drekën, përgatit mësimet për të nesërmen dhe luan me bashkëmoshatarë. Gjatë këtyre orëve, Pëllumbi është sërish jashtë duke pritur të birin.

Çdo ditë në orën 16 largohen nga qendra drejt banesës, me merakun e përditshëm të Pëllumbit: të kishte një shtëpi, një strehëz sado të vogël, por që të ishte e tyre.

“Edhe kur të vdes do të shkoj me merak të madh. Të paktën fëmija im të kishte shtëpinë e vetë, të jetojë mirë dhe të dalë pa frikë jashtë”, shprehet Pëllumbi. E ndërsa shpreson se diçka do të ndryshojë, është besimplotë për të ardhmen e djalit.

“Ai do të bëhet njeri më i mirë”, thotë Pëllumbi. Edhe pse Pëllumbi është kujdesur dhe ka sakrifikuar, këto vite kanë qenë për të më të bukurit e jetës. Dashuria dhe përkushtimi për të birin e kanë shpëtuar.

“Unë kam bërë gjithë atë burg. Kam qenë shumë i keq, e pranoj. Por tani kamë kthyer dhe falënderoj Zotin që më bëri me një fëmijë. Ai ishte floriri im më i madh”, mbyll rrëfimin Pëllumbi.

Top Channel