Komplimente të ndërsjellta, por edhe parlajmërime të ashpra ka pasur nga fillimi deri në fund takimi i kryeministrit grek Aleksis Tsipras me kreun e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, që ka vizituar Athinën për disa orë.

Me frikën e një thyerjeje të vijës së përgjithshme të politikës së jashtme të BE-së në lidhje me Moskën dhe të pikëpyetjeve të mëdha përsa i përket borxhit të vendit, zyrtari i lartë europian ka kërkuar garanci për veprimet e mëtejshme të Athinës dhe në fund ka nënvizuar se qeveria greke nuk duhet të ndërmarrë iniciativa të njëanshme.

“Gjatë diskutimit tonë unë mësova diçka shumë të rëndësishme. Për çështjen e financimit të borxhit të Greqisë, ju nuk do veproni në mënyrë të njëanshme dhe, duke këmbëngulur në mendimet tuaja dhe opinionet e qeverisë, ju do veproni në kuadër të negociatave me partnerët tuaj. Për marrëdhëniet e BE me Rusinë, në lidhje me krizën në Ukrainë, unë jam mirënjohës për sqarimin që ju dhatë se qeveria greke është e gatshme të marrë pjesë me partnerët e saj në një dialog kosntruktiv”, ka deklaruar Schulz.

Duke ururar që Greqia të mbetet në rrugën e saj europiane, Schulz ka përshëndetur palën greke për luftën ndaj evazionit fiskal, duke theksuar se ndërkohë që krizën e paguanin grekët e varfër, të pasurit nxirrnin paratë e tyre jashtë shtetit.

Nga ana e tij, pasi ka falenderuar zyrtarin e lartë europian, duke çmuar vizitën e parë të tij, Tsipras ka theksuar se ashtu si edhe partnerët, qeveria e tij kërkon rikthimin e zhvillimit ekonomik, të vendeve të punës, të kohezionit social dhe ka ritheksuar se qeveria e tij do të negociojë duke garantuar sigurinë dhe stabilitetin.

“Ne jemi duke negociuar me partnerët tanë evropianë, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje të dobishme, reciproke për çështjet me interes të përbashkët. Ne garantojmë stabilitetin, kushdo që është duke investuar në të kundërtën, të jetë i sigurt se së shpejti do të provohet se e ka gabim”, ka thënë Tsipras.

Pas Martin Shculz, Athinën e viziton të premten edhe kreu i Eurogrupit, Jeron Dajseblum, ndërsa ministri i ri grek i Financave ka deklaruar orët e fundit se po bën përpjekje për një konferencë ndërkombëtare në lidhje me borxhin e Greqisë.

Top Channel