Terrorizmi, Tahiri-Hyseni: Të bashkërendojmë veprimet

29/01/2015 00:00

Ministri i Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri dhe homologu kosovar Skënder Hyseni, gjatë një takimi në Tiranë diskutuan për bashkëveprimin kundër terrorizmit.

Të dy ministrat ndanë mendimin se pas ngjarjes në Paris, të gjithë duhet të veprojnë dhe jo të vonojnë.

“Policia shqiptare zhvillon hetime të thella dhe mban nën mbikëqyrje të rreptë shtetas të përfshirë në luftëra në vendet e Lindjes së Mesme, për të evituar që vala e radikalizmit të kthehet mbrapsht. Ka proçedime, por ato nuk mbyllen me shpejtësinë që ne duam. Ekstremizmi i dhunshëm është një çështje me të cilën po merremi seriozisht”, deklaroi Tahiri.

“Këto janë sfida transnacionale, pasi Parisi na dha leksion shtesë, që nuk duhet guxuar të vonojmë bashkëpunimin në luftën anti-terror”, tha nga ana e tij Hyseni.

I pyetur për protestat në Prishtinë, Hyseni tha se policia bëri punën e vetë duke nisur nga nevoja për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe personaliteteve.

“Kushdo që do ta ngjyrosë politikisht këtë çështje, ose bën vetëm një lajthitje, ose ka qëllim të keq”, shtoi ai.

Top Channel