Lame: Më hanë duart për Tiranën

29/01/2015 00:00

Duhen edhe rreth 3 muaj që të nisë edhe zyrtarisht fushata elektorale
për zgjedhje vendore, që do të zhvillohet për herë të parë me ndarjen e
re, por në media dhe opinionin publik kanë nisur të qarkullojnë prej
disa kohësh emrat e kandidatëve të mundshëm për bashkitë më të
rëndësishme të vendit.

Pikërisht këtyre zgjedhjeve dhe kandidatëve të mundshëm të dy kampeve të politikës shqiptare iu kushtua emisioni i kësaj të enjteje Top Story me gazetarinS okol Balla dhe të ftuar Agron Dukën, deputet i Partisë Republikane, Artan Lame, kreu i ALUIZNI-t dhe analistët Artur Zheji dhe Skënder Minxhozi.

I pari që doli haptazi publikisht duke shprehur vullnetin për të qenë kandidat i përbashkët i së djathtës për Bashkinë e Durrësit ishte Agron Duka. I zgjedhur deputet në 2001 si i pavarur por me mbështetjen e Partisë Socialiste dhe në 2009 nën siglën e PS, ai u shkëput prej saj në zgjedhjet e 2013 dhe shkak ishte vendimi për ta vendosur të pestin në Qarkun e Beratit.

“Në 2013 pata një mosmarrvëeshje me kreun e PS të asaj kohe dhe Kryeministrin e sotëm dhe për natyrën time dhe marrëdhënia që kisha krijuar me elektoratin ishte e pakëndëshme për mua që të shkoja në Berat dhe e refuzova atë. Pastaj pata një ofertë nga zoti Mediu dhe e pranova”, sqaroi Duka.

Duka siguroi mbështetjen e nevojshme kur fitoi edhe nën siglën e Partisë Republikane, votë që tregoi mbështetjen që gëzon, por a është kjo mbështetje e mjaftueshme për ta bërë atë kryetar të Bashkisë së Durrësit dhe për më tepër a e përjashton ai kandidaturën e Lefter Kokës nga e majta në këtë qytet?

“Kreu i PR-së ka thënë që mund të shihem si kandidaturë konsensuale e së djathtës. Unë kam pranuar. Do shohim nëse kandidatura ime bashkon të djathtën dhe premton fitore. Mund të marr përsipër, nëse jo do të mbështesim kandidaturën e së djathtës që do të dalë në Durrës. Unë personalisht kam shprehur vullnetin për të qenë kandidat. PD e Durrësit në këto momente është e bashkuar, për meritë të kryetarit të ri dhe të deputetëve ka një optimizëm për të fituar këto zgjedhje pas 15 vitesh”, tha ai.

Për analistin Skënder Minxhozi rasti i Agron Dukës është një rast kur masa kritike mes prurjes personale dhe ikonës së partive sjell atë masë votash që të japin në fund fare fitoren. “Si i pavarur është e pamundur të fitosh garën”, tha ai.

Lidhur me akuzat e dikurshme të ish-kryetarit të PD-së, Sali Berisha në adresë të Agron Dukës Artan Lame tha se sot ai që ka ndryshuar është Sali Berisha dhe se Agron Duka është i njëjti person, por ai bëri thirrje që sidomos në zgjedhjet lokale, votat të mos hidhen me tifozeri, por të zgjidhet personi që do qeverisë qytetin, që do rregullojë qytetin.

Analisti tjetër i ftuar në studio, Artur Zheji tha se kandidatura e Dukës për të djathtën është ajo e duhura, por nënvizoi faktin se ai do të përjashtonte kandidaturën e Lefter Kokës, gjithashtu një emër që qarkullon si kandidat i së majtës.

Pyetjes së shikuesve nëse do të rikthehej një ditë sërish tek e majta, deputeti i PR-së, Agron Duka iu përgjigj shkurtimisht: “Nuk kthehem më tek e majta”.

Artan Lame tha se përveç emrave ekziston edhe ndarja e re me 61 bashki e bën më të paparashikueshëm rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Ai shprehu gatishmërinë për të qenë kandidat i së majtës në Tiranë, nëse do t’i jepej mundësia nga koalicioni i majtë PS-LSI.

“Me ndarjen e re zgjedhjet janë më të paparashikueshme pasi nuk bëhet më fjalë për një elektorat dhe komunitet homogjen dhe balancat kanë ndryshuar. Jam gati të kandidoj. Mua më hanë duart për këtë qytet. Po ma dhanë do merrem, po s’ma dhanë nuk do merrem”, tha ai.

Pjesën e tretë debati u zhvendos tek bashkia më e madhe e vendit, ajo e Tiranës.

“Bashkia e Tiranës është një pedanë për t’u bërë Kryeministër, që do të thotë se humbet njeriun që duhet të bëjë punën për qytetin dhe jetën e përgjithshme të qytetarëve”, deklaroi Zheji duke nënkuptuar se një rikandidim i Lulzim Bashës nuk do të ishte një vendim i duhur.

Skënder Minxhozi gjithashtu deklaroi se Lulzim Basha, edhe për shkak të premtimeve të pambajtura duhet të lërë bashkinë dhe t’i kushtohet tërësisht kreut të Partisë Demokratike për t’u përgatitur për zgjedhjet e vitit 2017.

Top Channel