Francë, simpatizoi terroristët, merret në pyetje nga policia 8-vjeçari

30/01/2015 00:00

Një fëmijë 8-vjeçar në Francë refuzoi të merrte pjesë në një minutë heshtje për viktimat e sulmit të 7 janarit në Paris, ndërsa më pas ai kishte shprehur ‘solidaritet’ me autorët e sulmit, ku mbetën të vdekur 12 persona në redaksinë e revistës “Charlie Hebdo”.

Këto veprime kanë bërë që drejtori i shkollës në Nice të Francës të njoftonte policinë. 8-vjeçari së bashku me babanë e tij u morën në pyetje nga policia dhe më pas janë lënë të lirë.

Mësuesi i djalit tha se ai kishte shprehur simpati për personat e armatosur që kryen sulmet në “Charlie Hebdo”, të justifikuar me karikaturat e Profetit Muhamed.

“Ne morëm në pyetje fëmijën dhe babanë e tij në përpjekje për të kuptuar se si një djalë 8-vjeçar kishte ide të tilla radikale. Natyrisht që fëmija nuk e kuptonte se çfarë ishte duke thënë” ka thënë një prej zyrtarëve të policisë.

Ky veprim i policisë franceze ngjalle menjëherë reagime të forta nga grupe kundër islamofobisë dhe anti-racizëm në Francë, të cilët e kanë deklaruar se “veprimi i policisë ka ardhur si pasojë e një histerie kolektive që ka përfshirë Francën që prej fillimit të janarit”.

Top Channel