Bulqizë, grabiten nën kërcënimin e armës 3 kinezë

30/01/2015 00:00

Dy shtetas nga Bulqiza, të maskuar dhe të armatosur, kanë grabitur tre kinezë që punojnë në minierën e kromit, ndërkohë që efektivat e policisë kanë mundur t’i arrestojnë në kohë rekord dy të rinjtë.

Burime pranë Komisariatit të Bulqizës thanë se rreth orës 22.30 tre shtetasit kinezë kanë zbritur në qendër të qytetit për të blerë mallra konsumi.

Në momentin kur ata janë kthyer për në minierë, janë përballur me dy persona të armatosur dhe të maskuar. Dy grabitësit u kanë kërkuar të dorëzojnë menjëherë gjithçka kishin me vete, të holla dhe sendet që kishin blerë në dyqan. Madje, mes palëve ka nisur dhe përleshja fizike. Grabitësi që mbante me vete një armë tip kallashnikov u ka marrë rreth 100 mijë lekë të vjetra.

Pas denoncimit në polici, shumë shpejt është bërë operacioni për kapjen e dy grabitësve. Sipas policisë lokale, autorët e dyshuar për këtë ngjarje janë Selim Rushiti dhe Edison Daka, të cilët u gjetën të fshehur tek një ndërtesë e braktisur.

Gjatë arrestimit, dy shtetasve u është gjetur dhe arma automatik me të cilën dyshohet të jetë bërë dhe grabitja. Menjëherë nisën hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes kriminale. Fatmirësisht, tre shtetasit e huaj nuk kanë lëndime.

Top Channel