Sejko, kandidati i vetëm për guvernator i BSH-së miratohet në Komisione

30/01/2015 00:00

Gent Sejko duket se do të jetë Guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë.
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë vendosi me konsensus të pranojë
dekretin e Presidentit për emërimin e tij në krye të Bankës duke ja
dërguar aë Parlamentit për votim në seancë plenare.

Votimi pritet të zhvillohet  në seancën e radhës, por siç u pohua nga deputetët tashmë zgjedhja e Sejkos në krye të Bankës duket vetëm një formalitet.’

Kandidati për guvernator i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, prezantoi
paraditen e së premtes platformën e tij përballë Komisionit të
Ekonomisë.

Zoti Sejko theksoi se prioriteti i tij do të jetë transparenca dhe mbrojtja e interesave të konsumatorëve.

Gjithashtu, kandidati për guvernator tha se “është i rëndësishëm bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë”.

Genti Sejko shtoi se në vemendjen e tij do të jetë edhe “rekuperimi i besimit në Bankën e Shqipërisë”.

Përmes një dekreti të shpallur në fillim të dhjetorit të kaluar, Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, i propozoi Parlamentit zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të bankës “Societe Generale”, Genti Sejko, si kandidaturën e tij zyrtare për Guvernator të Bankës së Shqipërisë.

Presidenti vinte në dijeni Parlamentin se kandidatura e Sejkos ishte përzgjedhur mes 42 emrave që kishin aplikuar pranë kreut të shtetit, pas një procesi të hollësishëm vlerësimi.

Top Channel