Feka doli më 20 janar nga Rinasi, hetim lëvizjeve, pyeten eprorët

30/01/2015 00:00

Efektivi i Forcave të Armatosura ka lënë Aeroportin e Rinasit në datën
20 janar të këtij viti. Këtë informacion u kanë dhënë specialistët e
Policisë Kufitare ekspertëve që po merren me hetimet rreth aktivitetit
të Sokol Fekës.

Nga ana tjetër, prokuroria është shprehur se momentalisht ndodhet në pritje të palës spanjolle dhe nëse ajo do të kërkojë nisjen e hetimeve në Shqipëri, për sa i përket trafikut të drogës, do të nisin edhe veprimet. Më tej edhe Ministria e Brendshme ka nisur hetimet, gjë e cila u bë e ditur nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë një konference për shtyp.

Tahiri është shprehur se “ajo është një çështje në hetim, policia shqiptare me të marrë informacione ka nisur hetimet paraprake. Është herët që të prisni prej meje të dhëna”. Sipas Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Jeronim Bazo, majorit Feka i është dhënë leja nga data 12-31 janar të këtij viti, nga baza ajrore në Farkë, por në asnjë rast atë të daljes jashtë vendit. Një tjetër veprim i palës shqiptare, për sa i përket rolit të Fekës pranë Forcave të Armatosura dhe implikimit të tij në trafikun e drogës, është ai i marrjes në pyetje të eprorëve dhe kolegëve të tij në Farkë. Jo vetëm dhënia e lejes, por edhe lëvizjet e kohëve të fundit të 41-vjeçarit janë pikat ku është përqendruar vëmendja e policisë shqiptare.

Më tej, Policia Ushtarake, nga ana e saj, ka nisur hetimet për të përcaktuar rolin e majorit Feka në linjën e trafikut të drogës nga Afrika në Spanjë, teksa oficerë ushtarakë janë duke verifikuar edhe lëvizjet e tij brenda dhe jashtë vendit. Edhe sektori i Antidrogës në Policinë e Shtetit, është duke kryer hetimet paraprake në lidhje me efektivin e ushtrisë, teksa nga të dhënat paraprake mësohet për gazetën “Shqip” se deri më tani nuk është hasur në ndonjë indicie apo të dhënë që ai mund të ishte përfshirë në aktivitete kriminale, në të kaluarën. Referuar edhe origjinës së tij, pasi babai, Alushi, ishte gjithashtu pilot në Forcat e Armatosura, të gjithë personat që kishin pasur njohje pune dhe shoqërore me Fekën, kanë deklaruar se ai ishte pilot i zoti dhe familjar shembullor.

Për sa i përket pjesës së familjes, policia ka marrë deklarimet përkatëse të bashkëshortes, e cila jetonte me qira, bashkë me Sokolin, në lagjen e njohur si “Fresku”, në Tiranë, teksa zotëronte edhe një biznes. Të dhëna janë marrë edhe nga familjarët e tjerë që ndodhen në Kuçovë. Nga të gjitha deklarimet e tyre, nuk ka rezultuar ndonjë informacion i vlefshëm që do të ndihmonte në hetime, pasi nuk është mësuar ndonjë emër shoku a bashkëpunëtori. Familjarët nuk kishin dyshuar ndonjëherë se Feka ishte implikuar në aktivitet kriminal dhe kanë deklaruar se ai ishte familjar i rregullt dhe i përkushtuar në punën e tij, të cilën e kryente prej dhjetëra vitesh. Më tej, përmes një shkrese, janë lajmëruar të gjitha pikat kufitare në vend, për të sjellë listën me datat e hyrje-daljeve të Fekës nga Shqipëria dhe destinacioneve përkatëse, pasi ka dyshime se ai kishte kryer lëvizje të shumta kohët e fundit, që mund të kenë lidhje me organizimin e fluturimit me helikopter, për të organizuar trafikun e drogës. Ndërkaq, prokuroria ndodhet në pritje të kërkesës nga spanjollët, për të kryer më pas veprimet e nevojshme procedurale.

Top Channel