Karriera 22-vjeçare e major Fekës, dy martesat dhe humbja e djalit

30/01/2015 00:00

Majori Sokol Feka, i cili humbi jetën në një aksident ajror në Spanjë,
ka qenë pjesë e Forcave të Armatosura prej 22 vitesh. Ai ka lindur në
Kuçovë, më 27 korrik 1974.

Ka qenë ushtar pranë Shkollës së Aviacionit dhe më pas ka filluar studimet për pilot. Sipas Forcave të Armatosura, 40-vjeçari ishte në mesin e pilotëve më të mirë, pasi ishte trajnuar disa vite në vende të ndryshme, ku kohët e fundit kryente detyrën e instruktorit për pilotët e rinj në repartin e helikopterëve në Farkë. CV-ja e pilotit Feka është mjaft e pasur në lidhje me trajnimet e kryera, në drejtim të cilit rezulton se kanë investuar edhe Forcat e Armatosura.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Feka ka kryer me sukses trajnimin disamujor në Itali për helikopterët, ku më pas bashkë me 12 pilotë të tjerë të ushtrisë ka qenë në trajnim në Mbretërinë e Bashkuar. Pas këtij trajnimi disamujor, Sokol Feka ishte në mesin e pilotëve të trajnuar në Francë për helikopterët e rinj, COUGAR ku është stërvitur për të pilotuar ato në kohë të ndryshme. Sipas FA-së, Feka në vitin 2009 është graduar me gradën major dhe kryente detyrën e instruktorit.

Jeta private

Ndërkohë, sipas FA-së, Feka ka lindur në qytetin e Kuçovës, ndërsa më pas është transferuar në Tiranë. Sipas gjendjes civile, ai është i martuar me Eriolën dhe kanë një vajzë. Ata kanë humbur djalin, Jonin, emrin e të cilit ia kanë vendosur firmës së pastrimit. Në statuse në Facebook, të dy e kujtojnë ngjarjen tragjike të 28 dhjetorit, ndërsa së fundmi i ishin përkushtuar vajzës së vogël.

Çifti Feka jetonte në një shtëpi me qira në zonën e Misto Mames në Tiranë, ndërsa bashkëshortja e tij, Eriola, administron firmën me seli në rrugën “Konferenca e Pezës”. Ndërkohë, Forcat e Armatosura kanë të gjithë CV-në e tij, teksa pohojnë se Sokoli, që humbi jetën në aksidentin ajror në Spanjë, ka qenë i martuar para se të lidhte kurorë me Eriolën. Me bashkëshorten e parë ka dy fëmijë.

Sokoli sipas FA-së

Pas bërjes publike të ngjarjes në Parlament, kanë reaguar edhe Forcat e Armatosura. “Major Feka u është bashkuar Forcave të Armatosura në vitin 1993 si student në Akademinë e Aviacionit për t’u diplomuar në vitin 1996. Pas titullimit ka shërbyer si oficer aktiv në struktura të ndryshme të Forcave Ajrore duke kryer detyra si pilot, komandant ekuipazhi dhe së fundi instruktor fluturimi. Në këto detyra të kryera, ka performuar përgjithësisht mirë dhe është vlerësuar përputhmërisht me këtë performancë. Si shumë prej kolegëve të tij është vlerësuar me medalje të shërbimit dhe karrierës. Ka kryer një sërë trajnimesh dhe ishte certifikuar për të pilotuar helikopterin COUGAR”, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Jeronim Baze.

Më tej shtoi se me kërkesën e tij, bazuar në aktet ligjore e nënligjore në fuqi, Komanda e Bazës Ajrore Farkë ka miratuar dhënien e një pjese të lejes së paguar vjetore për periudhën 12–31 janar 2015. “Në asnjë rast nuk rezulton që major Feka të ketë kërkuar që një pjesë apo të gjithë lejen ta kryejë jashtë vendit, ashtu siç dhe parashikon Ligji për Statusin e Ushtarakut. Në fakt, bazuar në informacionin e marrë nga agjencitë e specializuara për lëvizjen e shtetasve jashtë kufijve të vendit, rezulton që shtetasi Feka të jetë larguar jashtë shtetit pa lejen e autoriteteve përkatëse dhe për më tepër të jetë përfshirë në një veprimtari të paligjshme, e cila i ka kushtuar edhe jetën”, tha Baze, duke pohuar se Ministria e Jashtme, ajo e Mbrojtjes, por edhe FA-ja, janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle për të hedhur dritë mbi ngjarjen

Top Channel