Efekti domino i SYRIZA-s, në Spanjë po rriten majtistët e “Podemos”

30/01/2015 00:00

SYRIZA greke po kthehet në makthin e mjaft qeverive të Europës perëndimore, të cilat i druhen kundërshtimit të kursimeve edhe në pjesë të tjera të kontinentit. Kjo do të rrezikonte të gjithë politikën e deritanishme europiane të masave anti-krizë.

Partia radikale e majtë, triumfuese në zgjedhjet parlamentare të së dielës, e befasoi bllokun europian me sfidën e bërë jo vetëm reformave të tij ekonomike, por edhe sanksioneve të imponuara ndaj Rusisë. Kjo situatë evidenton një problem të madh të momentit: qëndrimi shpërfillës i Greqisë, sidomos ndaj masave kundër Moskes, tregon se Bashkimi Europian po përçahet gjithmonë e më shumë.

Ideja e krizës po hedh rrënjë sërish në mendjet e njerëzve, partitë e ngjashme me SYRIZA-n mund të fitojnë terren e kohezioni politik i Europës do të shkojë në përkeqësim. Në fakt, ideja e një efekti domino fanitet frikësuese në sytë e vendeve të orientuara drejt stabilitetit si Gjermania.

Një valë protestash mbarëevropiane mund ta hidhte poshtë konsensusin e deritanishëm të arritur me mundim në politikën fiskale. Partia e re e majtë spanjolle, Podemos, ka shpresa të mëdha se do të fitojë zgjedhjet e përgjithshme në vjeshtë. Në fakt, sondazhet tregojnë se nuk e ka gabim. Podemos, që do të thotë “Ne mundemi”, renditet përpara Partisë Popullore në pushtet dhe socialistëve.

Nga ana tjetër, edhe në Portugali ka nisur të krijohet një lëvizje e mbështetur në modelin e SYRIZA-s. Konsensusi nuk kërcënohet vetëm nga e majta, por edhe nga e djathta. Në Francë, Marine Le Pen e Frontit Nacional përzgjedh deklaratat e qeverisë së re greke që i pëlqejnë asaj e në mënyrë të ngjashme e sheh çështjen edhe Lega Nord në Itali.

Sa i takon sanksioneve të bllokut, qëndrimi i SYRIZA-s i ka ardhur për shtat rusëve e këtë e dëshmon titulli i gazetës moskovite “Nezavisimaja Gazeta” që thotë: “Qeveria e re greke mund të jetë stacioni më i rëndësishëm i rezistencës ndaj sanksioneve antiruse të BE-së.”

Top Channel