Sanksione Rusisë deri në shtator

30/01/2015 00:00

Ajo për çfarë ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian ranë dakord në Bruksel ishte zgjatja e sanksioneve ekzistuese ndaj Rusisë deri në shtator. Në takimin e posaçëm u diskutua gjithashtu t’i shtohen emra të tjerë listës së individëve të shënjestruar nga BE-ja për ngrirje asetesh e ndalim udhëtimi me vendet e bllokut.

Shefat e diplomacive megjithatë nuk u pajtuan me idenë e vendosjes së sanksioneve të reja ekonomike ndaj Moskës. Federica Mogherini, shefe e diplomacisë së BE-së, tha: “Vendosim t’i zgjasim masat shtrënguese ndaj personave dhe entiteteve për të cilat ramë dakord marsin e vitit të kaluar. Ato do të shtyhen deri në shtator të këtij viti. Për një gjë mund të jemi të kënaqur sot, se arritëm ta ruajmë unitetin, i cili, siç e kemi thënë gjithmonë, është forca jonë. Ne treguam gjithashtu se Bashkimi Europian është gati të marrë masa të mëtejshme nëse situata nuk përmirësohet, por shkon në përkeqësim, siç ka ndodhur këto ditët e fundit.”

Ministrat u takuan në një kohë kur luftimet në Ukrainën lindore kanë njohur një tjetër përshkallëzim. Moska mohon çdo përfshirje në konflikt, por Perëndimi mendon të kundërtën. Takimi i së enjtes u kërkua pasi qyteti port i Mariupolit u bombardua prej rebelëve këtë fundjavë, një episod dhune që shkaktoi të paktën 30 të vdekur.

Kievi menjëherë fajësoi për sulmin separatistët pro-rusë. Aktualisht, ka paqartësi mbi pozicionin e qeverisë së re greke, një aleate e Rusisë që thotë se dëshiron shmangien e krijimit të hendekut mes Moskës dhe bllokut europian. Që prej muajit prill, kur rebelët morën nën kontroll pjesë të tëra të dy rajoneve të mëdha (Luhansk e Donetsk) në Ukrainën lindore, bilanci i vdekjeve është rritur në 4.800, ndërsa 1.2 milionë njerëz janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.

Top Channel