Bashkia e Tiranës, kallëzim penal ndaj kreut të INUK-ut

30/01/2015 00:00

Bashkia e Tiranës ka bërë kallëzim penal ndaj kreut të INUK-ut, Dallëndyshe Bici, për kallëzim të rremë në lidhje me pallatin që po ndërtohet pranë shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja në Tiranë.

Në një deklaratë për media Bashkia e Tiranës sqaron se “leja e miratuar është në përputhje të plotë me Planin e Përgjithshëm Vendor dhe legjislacionin në fuqi për planifikimin e territorit”.

Është respektuar lartësia e propozuar nga Plani i Përgjithshëm Vendor për strukturat e kategorisë banim, si dhe distancat mes strukturave nga kufiri i pronës që zhvillohet apo nga trupi i rrugës, sqaron Bashkia.  

Kallëzimi për kreun e INUK-ut, sqarohet në deklaratë, u shtohet kallëzimeve të tjera të zyrtarëve të lartë, siç është ai për ministrin Erion Veliaj apo ministrin e Financave Shkëlqim Cani për shpërdorim detyre.

Sipas Bashkisë, ministri i Financave ka bllokuar prej një viti pagesat ndaj dy kompanive të cilat po punojnë për dy projekte të mëdha siç janë Bulevardi i Tiranës dhe rehabilitimi i lumit Tirana.

Pas këtij kallëzimi ka reaguar dhe Drejtorja e INUK Dallendyshe Bici. Me anë të një njoftimi ajo bën të ditur se pavarësisht se INUK vepron vetëm në bazë të ligjit, komunikon vetëm me shkresa zyrtare dhe zbaton çdo instancë ligjore, nga ana e Bashkisë së Tiranës nuk vijnë kurrë përgjigje dhe bashkëpunim që i nevojitet qytetarëve, por veç akuza, fjalë, baltë, e çdo lloj haluçinacioni.

“INUK nuk punon me pambuk, por me fadroma dhe INUK është institucioni i fundit që vepron. Pse këta zotërinj nuk u bëjnë njëherë të vetme thirrje qytetarëve të zbatojnë ligjet në fuqi, madje të nxitojnë t’i zbatojnë ligjet. Ato ligje që ata i miratojnë, megjithëse as i lexojnë?! Unë zbatoj ligjet e shtetit shqiptar dhe do të lutesha që emri im të mos bëhej pjesë e lojës politike”, shprehet Bici.

Por i menjërshem ka qenë reagimi i Bashkisë së Tiranes duke e cilësuar INUK-un si një skutë të korruptuarish.

“Shkatërrimet selektive me urdhër politik, gjobat korruptive që vilen përmes përmbarimit, persona të drejtoreshës dhe mbrojtja e ndërtimeve të paligjshme të miqve dhe klientëve të Kryeministrit janë krime të rënda për të cilat herët a vonë do përgjigjen përpara ligjit”, mbyllet reagimi i Bashkisë.

Top Channel