Nuk pastroi borën te rrugica e shtëpisë së tij, 50 USD gjobë kryediplomatit Kerry

30/01/2015 00:00

John Kerry ka shumë tituj, me të cilët krenohet në karrierën e tij: Sekretar Shteti, ish-senator, ish-kandidat i demokratëve për President. Por kryediplomati amerikan – thotë Boston.com, – nuk është i pagabueshëm.

Në fakt, një shkelje të vogël e ka bërë. Rrugica përpara vilës së tij e mbushur me borë nuk i ka shpëtuar vëmendjes së fqinjëve dhe asaj të zyrtarëve të qytetit, të cilët e kanë gjobitur shefin e diplomacisë me 50 dollarë.

Pas stuhisë së dëbores që mbuloi në të bardhë Bostonin këtë javë, kryebashkiaku Martin Walsh u zotua të ndëshkonte të gjithë personat, që i lënë rrugët përpara shtëpisë së vetë apo bizneseve të mbuluara nga dëbora.

Dhe, me sa duket, nuk po bënte shaka. Fakti që është një prej njerëzve më të pushtetshëm sot në Amerikë, s’e ka shpëtuar John Kerryn nga gjoba. Nuk ishte vetëm 50 dollarëshi, që tërhoqi vëmendjen e medias, por edhe vetë simbolika e gjestit, i cili synon të tregojë se të gjithë qytetarët përpara ligjit janë të barabartë, e si të tillë do të trajtohen, edhe pse mund të kenë në duar frerët e diplomacisë së njërit prej kombeve më të fuqishme të botës.

Në të gjithë lagjen e Kerryt, banorët kishin dalë të pastronin rrugicat nga dëbora, ndërsa dy ditë pas stuhisë, pjesa e rrugës përpara banesës luksoze të Sekretarit të Shtetit ishte e paprekur. Gjobën e vendosën zyrtarë të Departamentit të Inspektimeve, të cilët kanë cituar të paktën 210 raste shkeljesh të këtij lloji përgjatë ditës së enjte.

Top Channel