PD: Helikopteri me drogë, jo “ngjarje e pakëndshme”

30/01/2015 00:00

Atë që Ministria e Mbrojtjes e cilësoi si një ngjarje të pakëndshme dhe
një gabim të pilotit major që transportonte drogë në Spanjë, për Partinë
Demokratike është një dëshmi sesi mund të dështojë një shtet, kur
strukturat e tij inteligjente në ushtri dhe polici drejtohen nga
ish-Sigurimi i Shtetit.

“E vërteta është se në Spanjë ka ndodhur shumë herë më shumë se “një ngjarje e pakëndëshme” apo një “gabim”. Në Spanjë, aksidentalisht, ka dalë në pah se në çfarë derexheje është katandisur siguria kombëtare, Forcat e Armatosura, Policia Ushtarake, strukturat inteligjente dhe te informacionit të ushtrisë dhe të Policisë së Shtetit, kontrolli i territorit, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut te narkotikëve”, tha deputeti i PD-së, Gent Strazimiri.

Zoti Strazimiri, dikur ish-zëvendësminister i Brendshem, ngriti shqetesimin e perdorimit te informacionit te klasifikuar te NATO-s nga trafikantet e kokaines te mbrojtur nga Qeveria.

“Në 498 ditë, Edi Rama ia doli të “rilindë” trafikun e kokainës në baza më të shëndetshme se kurrë ndonjëherë në këtë vend, madje më të shëndetshme edhe se në ’97 kur nuk kishte fare qeveri. Në 498 ditë Shqipëria është kthyer në një vend me “ofertë” të pakufizuar për krimin dhe trafikun ndërkombëtar, i cili rekruton këdo, madje edhe ushtarakë të lartë të çertifikuar si të besueshëm nga qeveria shqiptare, madje në mënyrë të përsëritur, me firmen e vetë ministres, të cilët për këtë shkak kanë akses në informacionin dhe bazat më të rëndësishme të NATO-s, siç është rasti më i fundit i majorit të Forcës Ajrore”, tha Strazimiri.

Sipas zotit Strazimiri, ajo qe ka ndodhur ne një vit e gjysmë eshte zbatimi i vullnetit politik te kryeministrit Rama per te bashkeqeverisur me krimin ne çdo qelize te shtteit, në polici, ushtri, shërbimin civil dhe deri në Parlament.

“Sot krimi nuk po lufton me shtetin. Sot krimi është në shtet! E vetmja gjë që ia prish qetësinë dhe harmoninë idilike me Kryeministrin dhe qeverinë, janë aksidentet, si ai i Divjakës apo ky i Spanjës dhe herë pas here Interpoli me operacione që fillojnë në anën tjetër të globit e përfundojnë në oborrin e Qeverisë”, theksoi Strazimiri.

Top Channel