Arsimi profesional, Veliaj e Nikolla: Tregu kërkon teknicienë. Nxënësit, praktikë pranë bizneseve

30/01/2015 00:00

Nxënësit, të cilët do të ndjekin shkollat profesionale, do të kalojnë të paktën 30% të kohës së procesit mësimor pranë bizneseve, sipas degëve përkatëse, për t’u praktikuar.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, ka zhvilluar një takim me 42 drejtues të shkollave profesionale dhe përfaqësues të bizneseve në vend.

“Ky është një model i ri, pra për herë të parë bordi i shkollës do të ketë një përfaqësues biznesi, i cili do të ketë edhe disa kompetenca. Ne kemi shpërndarë një udhëzim, ku rrisim kompetencat e përfaqësuesve të biznesit në mënyrën sesi menaxhohet shkolla, në mënyrën e ofertës që shkolla jep për arsimin profesional, në mënyrën sesi ne zgjedhim mësuesit sipas profileve, e sigurisht edhe në mënyrën sesi ne realizojmë praktikat mësimore. Duke filluar nga ky vit, ne kemi kërkuar që 30% e kohës mësimore të një nxënësi do të duhet të kalohet pranë një biznesi përveç asaj në klasë”, u shpreh ministri Erion Veliaj.

Veliaj kërkoi nga drejtuesit e shkollave profesionale të përqëndrohen edhe në rritjen e aftësisë komunikuese të nxënësve.

Edhe ministrja e Arsimit dhe Sporteve ka shprehur angazhimin e saj maksimal për arsimin profesional, që sipas saj ndikon në uljen e papunësisë në vend.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe qeveria shqiptare do t’u japin projekteve të tilla, duke shërbyer fort si një urë e madhe lidhëse për rritjen e punësimit, por edhe për të qasur shprehitë dhe cilësinë e formimeve me atë që kërkon sot zhvillimi i vendit, specifikisht në fushën e bujqësisë”, tha ministrja Lindita Nikolla.

Ministrja e Arsimit mori pjesë në inaugurimin e një qendre profesionale pranë Universitetit Bujqësor të Kamzës, projekt ky i USAID.

Top Channel