Shkencëtari i Microsoft: Inteligjenca artificiale nuk do na vrasë

30/01/2015 00:00

Shkencëtarët janë të ndarë sa i përket rrezikut që i kanoset njerëzimit nga inteligjenca artificiale. Një pjesë e tyre deklarojnë se nëse nuk veprohet me kujdes në këtë fushë, njerëzimi mund të shfaroset nga vetë krijesat e tij, por ka edhe nga ata që i cilësojnë këto pretendime si të pavërteta.

E njëri prej tyre është edhe kreu i kërkimeve në gjigantin amerikan të teknologjisë, Microsoft, Eric Horvitz. Ai del kundër deklaratës së fizikantit të famshëm britanik, Stephen Hawking i cili dhjetorin e kaluar tha për BBC se makineritë me inteligjencë artificiale mund të jenë një kërcënim për vetë ekzistencën e njeriut në të ardhmen.

“Ka patur shqetësime se në një të ardhme do të humbasim kontrollin mbi inteligjencën artificiale. Unë nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Mendoj që do të jemi shumë aktivë në të ardhmen në këtë fushë dhe do të kemi përfitime të mëdha nga sistemet me inteligjencë artificiale, në të gjithë fushat e jetësm, edukim, ekonomi dhe në jetën e përditshme”, thotë Horvitz.

Horvitz është udhëheqës i sektorit të inteligjencës artificiale dhe kreu i grupit të shkencëtarëve të Microsoft që hodhi në treg “Cortana”. Sot Microsoft ka përqendruar çerekun e burimeve të tij njerëzore dhe financiare në zhvillimin e inteligjencës artificiale për të qenë konkurues me rivalët e Apple, që në treg janë me “Siri” dhe Google me “Google Now”.

Top Channel