Rama në Pogradec: Do ta shndërrojmë në zonën më tërheqëse turistike

30/01/2015 00:00

Paraditja e të premtes e gjeti Kryeministrin Edi Rama duke inspektuar
punimet në shëtitoren 17.3 kilometra përgjatë  bregut të liqenit të
Ohrit.

Në segmentit Lin-Pogradec po zbatohen projektet për rindërtimin e rrugës dhe rehabilitimin e gjelbërimin e bregut të liqenit, të financuara nga qeveria.

“Objektivi është që kur të fillojë sezoni të jemi në kushte të tjera komplet, të jetë gjithçka e kalueshme dhe brenda vitit, ne ta kemi kryer totalisht si projekt, jo vetëm rrugën, por gjithë parkun, e rikthyer pas 30 vitesh siç nuk ka qenë para 30 vjetësh, me një rehabilitim që e bën praktikisht një nga zonat më të bukura turistike të rajonit dhe pa diskutim e kthen si zonë turistike me vlera të posaçme nga pikëpamja ekologjike, nga pikëpamja e peizazhit, e natyrës dhe patjetër, edhe nga pikëpamja e lëvizjes”, tha Rama.
 
Nga bregu i liqenit të Ohrit kryeministri Rama foli edhe për pastrimin nga inertet dhe rehabilitimin e zonave të ndërtimeve të prishura, sistemimin e terrenit dhe gjelbërimin e tyre.

“Gjithë zona e atyre ndërtimeve pa leje dhe asaj barbarie dhe kafshërie që u vu në jetë 20 vjet, me zhvillime të papërgjegjshme, kthehet në një park të madh për qytetarët dhe në një aset të madh për gjithë turistët që mund të lëvizin, mund të shëtisin, mund të vrapojnë, mund të  kenë vend fëmijët për të luajtur. 17 kilometra park dhe me korsi biçikletash”, u shpreh Rama.

Përurohet zyra e re e policisë në Pogradec

Gjatë vizitës në Pogradec, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri përuruan Zyrën e Shërbimit Unik për qytetarët. Kjo zyrë përmbledh në një sportel të vetëm të gjitha shërbimet që Policia e Shtetit u ofron qytetarëve.

Ministri Tahiri u shpreh se Zyra e Shërbimit Unik garanton një shërbim cilësor ndaj qytetarëve, por edhe eliminon praktikat abuzive dhe korruptive të punonjësve të policisë.

Viti 2015, tha Tahiri, është viti i modernizimit teknologjik, modernizimit infrastrukturor, por edhe i ndryshimit të mentalitetit të punonjësve të Policisë së Shtetit në shërbimin ndaj qytetarëve.

“Shërbimi cilësor ndaj qytetarëve është e vetmja rrugë për të rritur besimin e qytetarëve tek Policia e Shtetit”, nënvizoi ministri i Brendshëm. 

Top Channel