Avokati i Popullit: Rritet dhuna ndaj grave. Xhaçka: E frymëzon edhe politika

30/01/2015 00:00

Rritja e dhunës ndaj grave ka si shkak parësor situatën ekonomike. Avokati i Popullit del në këtë konkluzion në raportin e tij, që u diskutua në nënkomisionin për Çështjet e të miturve, barazisë gjinore dhe dhunës në familje.

“Nëse do të arrijmë përmirësimin e kushteve ekonomike, ne do të arrijmë të pakësojmë ndjeshëm edhe numrin e rasteve të dhunës ndaj grave, e më pas do të fillojmë të kërkojmë me radhë faktorët e tjerë, siç janë organet e policisë, që duhet të marrin në çdo rast, çdo denoncim apo ankim të qytetarëve kur ankohen; organet e drejtësisë për përshpejtimin e procedurave në rastet e dhënies së ‘urdhrit të mbrojtjes’ për ta bërë të menjëhershëm”, tha Arben Shkëmbi, komisioner i Avokatit të Popullit.

Në këtë komision u bashkënda qëndrimi se rritja e dhunës ndaj grave po kthehet në fenomen alarmant, që situata është komplekse dhe kërkon bashkëveprimin e institucioneve, por edhe të shoqërisë njëkohësisht.

Përfaqësuesi i Avokatit të Popullit tha se shoqëria civile gjithashtu duhet të fokusohet më shumë në këtë fenomen.

Ndërsa deputetja socialiste, Olta Xhaçka, deklaroi se frymëzimi për rritjen e tij vjen së pari nga retorika në Kuvend, kur gjuha agresive që nuk kursen as familjarët e kundërshtarëve politikë është shembulli më i keq që i jepet shoqërisë.

“Një retorikë e tillë frymëzon, me dashje apo pa dashje, dhunë dhe gjithë bashkëpunimi ynë këtu në Parlament do të ishte një hipokrizi, për sa kohë që nuk ndalen të tilla shfaqje, që vazhdojnë të mbjellin partizançe farën e dhunës në shoqërinë tonë”, u shpreh deputetja Olta Xhaçka.

Gratë deputete të majta dhe të djathta janë bashkuar përmes nënkomisioneve kuvendore dhe një sërë aktivitetesh në sensibilizimin kundër dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.

Top Channel