Një gjyqtar në gjykatën e OKB-së për Jugosllavinë mbështetur dënimet për pesë persona, për rolin e tyre në masakrën e Srebrenicës.

Dënimet për katër prej tyre, të gjithë oficerë të lartë në ushtrinë serbo-boshnjake në vitin 1995 janë konfirmuar, ndërsa për njërin është shkurtuar.

Të pandehurit kishin apeluar kundër dënimeve të tyre në vitin 2010, për një seri krimesh të rënda, përfshirë genocidin.

Rreth 8 mijë burra dhe djem boshnjakë u vranë në Srebrenicë në tre ditë në vitin 1995, masakër kjo që konsiderohet si më e rënda në territorin evropian që nga Holokausti.

Dy nga të dënuarit, Vujadin Popoviç dhe Ljubisca Beara, janë mes atyre pak personave që janë shpallur fajtorë për genocid.

Ata ishin dënuar me burgim të përjetshëm për agresion dhe shkatërrim ndaj grupe njerëzish të përzgjedhur në bazë të etnisë së tyre.

Burgimet përjetë u konfirmuan të premten, ashtu sikurse dënimet me 35 vjet burg për Drago Nikoliç dhe 13 vjet për Vinko Pandureviç. Ndërsa dënimi për të pandehurin e pestë, Radivoje Miletiç u reduktua nga 19 në 18 vjet.

Masakra ndodhi pak muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, kur rreth 20 mijë refugjatë u strehuan në Srebrenicë për t’u shpëtuar forcave serbe.

Në atë kohë Srebrenica ishte një enklavë e mbrojtur nga ushtarët holandezë të OKB-së, por u pushtua nga trupat paraushtarake serbe të udhëhequra nga komandanti Ratko Mlladiç.

Disa nga të dënuarit raportonin direkt tek gjenerali Mlladiç, i cili aktualisht ndodhet në Hagë ku po gjykohet për një sërë krimesh, përfshirë genocidin.

Top Channel