Eurozonë, thellohet deflacioni, shpresat tek “vaksina” e BQE-së

30/01/2015 00:00

Deflacioni në 19 vendet anëtare të eurozonës vazhdon të fitojë terren. Në janar, çmimet në shtetet që përdorin monedhën e përbashkët ishin 0.6 për qind më pak se niveli i një viti më parë.

Shifra në fjalë tregon se eurozona po zhytet edhe më thell në deflacion, kryesisht që nga muaji dhjetor, kur çmimet ishin 0.2 për qind më të ulëta se një vit më parë.

Një nga faktorët kryesorë që ndikon në rënien e çmimeve është kostoja e energjisë, sidomos me çmimin e naftës që ka rënë me rreth 60 për qind në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.

Çmimet e energjisë ranë në 8.9 për qind në janar. Nëse ushqimet dhe energjia hiqen nga përllogaritjet, atëherë çmimet në eurozonë do të ishin në rritje në një kuotë inflacioni prej 0.5 për qind, më pak se 0.7 për qind të një muaji më parë.

Eurozona e ka përjetuar vetëm një herë më parë deflacionin në nivele të tilla, në korrik 2009, kur rajoni hyri në reçesion pas krizës financiare.

Javën e kaluar, Banka Qendrore Evropiane ndërmori një program që synon nxitjen e rritjes së çmimeve, duke injektuar rreth 1 trilion euro në ekonomi.

Christian Schulz, ekonomist i vjetër në Berenberg Bank, deklaroi se shifrat e fundit tregojnë se veprimi i BQE-së ishte mëse i justifikuar.

“Nafta e lirë, euroja i dobët dhe lehtësia monetare agresive po stabilizojnë tani pritshmëritë dhe do të ndihmojnë BQE-në të arrijë stabilitetin e çmimeve me kalimin e kohës”, deklaroi Schulz.

Ndërkohë, për eurozonën një lajm i mirë ka qenë ai sa i takon papunësisë, që në dhjetor ra në 11.4 për qind, nga 11.5 për qind që ishte në janar.

Top Channel