Rusia: Vetëm armët bërthamore na mbajnë superiorë ndaj Perëndimit

30/01/2015 00:00

Gjenerali më i lartë i Forcave të Armatosura të Rusisë ka bërë të ditur gjatë së premtes se vetëm një arsenal i fuqishëm armësh bërthamore do të siguronin superioritetin ushtarak të Moskës ndaj Perëndimit, në një kohë që zyrtarë të Kremlinit kanë avancuar më tej me një plan disa miliardë dollarësh për të modernizuar ushtrinë e saj deri në 2020-n.

Rusia, e cila me shumë mundësi do të përballet me recesionin për shkak të rënies së çmimit të naftës dhe sanksioneve të vendosura nga Perëndimi prej ndikimit në krizën e Ukrainës, duhet të përballet gjithashtu edhe me format e reja të agresionit nga Perëndimi, përfshi edhe konfrontimin ekonomik, bëri të ditur shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Valery Gerasimov.

Por, pavarësisht problemeve të mëdha e të thella ekonomike, ai tha se ushtria ruse do të marrë më shumë se 50 raketa të reja bërthamore ndërkontinentale, gjatë këtij viti.

“Mbështetja për forcat tona strategjike bërthamore, për të siguruar aftësitë e larta ushtarake të tyre, e kombinuar me rritjen e potencialit ushtarak  të forcave të përgjithshme të armatosura, do të na sigurojë neve se Shtetet e Bashkuara dhe NATO nuk do të marrin superioritetin ushtarak ndaj vendit tonë”, tha Gerasimov.

Tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit janë rritur së tepërmi që prej konfliktit në lindje të Ukrainës, ku Shtetet e Bashkuara dhe Europa akuzojnë Moskën si mbështetëse të kryengritjes, duke i furnizuar rebelët edhe me armatime e trupa ushtarake, akuza këto që rusët i mohojnë.

Rusia ka kritikuar zgjerimin e NATO-s në lindje të Europës, ndërsa Presidenti Vladimir Putin akuzon gjithashtu ushtrinë ukrainase, e cila po lufton kundër separatistëve prorusë në lindje të Ukrainës, se është bërë marionetë e NATO-s me politikën për të “frenuar” Rusinë.

Avionët luftarakë rusë po kapen gjithnjë e më shumë nëpër qiejt e Europës gjatë muajve të fundit. Britania mori në pyetje ambasadorin rus gjatë së enjtes, për t’i lëshuar një notë proteste në lidhje me dy bombarduesit e rrezes së gjatë rusë që fluturuan gjatë së enjtes mbi “kanalin anglez” (ngushticën e La Manshit), duke detyruar autoritetet britanike të aviacionit civil të ndryshonin kurset.

Rusia premton se do të avancojë më tej deri në vitin 2020, një plan modernizimi të ushtrisë ruse prej më shumë se 20 trilionë rubla (286 miliardë dollarë) të hartuar nga Putin, ndërkohë që shpenzimet ushtarake do të mbeten të pandryshuara, edhe në prag të përballjes me krizën gjithnjë e në rritje ekonomike, gjë që ka bërë të shkurtohen buxhetet e shumë Ministrive të tjera.

Projekti i modernizimit synon të riorganizojë sistemet ruse të armatimeve, për të siguruar se 70-100 përqind e armatimeve të Forcave të Armatosura dhe mjeteve të tyre do të jenë nga më modernet deri në fund të dekadës, një plan i konfirmuar nga ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

“Kemi planifikuar të përmbushim programin e armatimit të sjellë nga qeveria dhe të arrijmë deri në vitin 2020 sasinë e kërkuar të sistemeve moderne të armatimeve”, tha ai gjatë takimit.

Rusia vazhdon të mbajë aftësitë bërthamore të mbuluara me fshehtësi, por ushtria e saj me përafërsi 8500 raketa bërthamore në total, përfshi edhe ato të padislokuara (rreth 1000 më shumë se ç’posedojnë Shtetet e Bashkuara), sipas një studimi të vitit të kaluar nga Qendra për Kontrollin e Armëve dhe Ndalimin e atyre Bërthamore.

Duke folur kundër sfondit të rritjes së çmimeve të ndikuar prej dobësimit të rublës, Gerasimov tha se Rusia do të duhet të përballet edhe me të tilla forma agresioni të Perëndimit. “Vendet perëndimore janë duke përdorur aktivisht forma të reja agresioni, duke kombinuar çdo mundësi ushtarake dhe joushtarake. Metoda politike, ekonomike dhe ato të informacionit janë duke u përdorur gjithashtu”, është cituar të ketë thënë ai prej agjencisë së lajmeve Interfax.

Top Channel