Ukrainë, ushtri-rebelë, luftë me artilieri të rëndë

30/01/2015 00:00

Trupat ukrainase dhe rebelët pro-rusë janë përfshirë në një shkëmbim zjarri me artilieri të rëndë dhe tanke brenda dhe përreth Debaltseves, një qytet strategjik në lindje të Ukrainës.

Aktualisht ka raportime, që në mënyrë të pavarur nuk mund të konfirmohen, se rebelët kanë marrë nën kontroll qytetin e afërt të Vuhlehirskut.

Shumë civilë kanë mbetur të bllokuar në Debaltseve, ndërsa të tjerë, përfshirë ata të plagosur, kanë arritur të strehohen në qytetin Artemivsk. Mediat ruse raportojnë se të shtënat kanë vrarë të paktën 7 persona në qytetin e Donetskut.

Duke cituar burime pranë rebelëve, mediat njoftojnë gjithashtu se raketat e qëlluara kanë goditur një autobus dhe një qendër kulture, e njohur si Shtëpia e Kulturës, ku civilët po merrnin ndihma humanitare.

Një kameraman i agjencisë së lajmeve Reuters ka parë 6 trupa në vendin e ngjarjes pas të shtënave të artilierisë së rëndë në një lagje të qytetit. Rebelët që kontrollojnë qytetin fajësuan trupat ukrainase për bombardimin.

Luftimet e fundit, që sa vijnë dhe rëndohen, e kanë lënë pas marrëveshjen e armëpushimit të arritur mes palëve në shtator.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë është përpjekur të rifillojë bisedimet e armëpushimit në Minsk të Biellorusisë. Përfaqësuesi i Rusisë në OSBE, Andrei Kelin akuzoi Kievin se kërkon një zgjidhje ushtarake të konfliktit.

“Nga Kievi nuk po shohim as sinjalin më të lehtë të vullnetit për të ndaluar konfliktin, për t’u angazhuar në dialog me palën kundërshtare të popullsisë në lindje të Ukrainës, apo për të nisur një proces politik që do të sheshojë gjërat”, deklaroi Kelin në OSBE ditën e enjte.

Ndërkohë, televizioni rus Vesti TV, në edicionin e lajmeve bëri të ditur se rreth 8 mijë ushtarë ukrainas janë rrethuar në Debaltseve.

Top Channel