Zgjohet në funeralin e vet dhe nis të qajë

30/01/2015 00:00

Një 45-vjeçar që mjekët e deklaruan të vdekur 3 muaj pasi u paraqit në gjendje të rëndë shëndetësore ‘u zgjua’ në funeralin e vet dhe nisi të qajë.

Guo Liu nga provinca Hubei në Kinë humbi ndjenjat teksa ishte duke pirë me miqtë në një lokal 3 muaj më parë. Ata e shoqëruan me shpejtësi në spital ku mjekët thanë se kishte pësuar një hemoragji cerebrale të rëndë.

Disa ditë më parë, stafi i spitalit telefonoi bashkëshorten e tij 40-vjeçare për t’i thënë që bashkëshorti i saj kish ndërruar jetë.

Familjarët dhe miqtë e tij organizuan varrimin. Por pikërisht në momentin e përcjelljes së fundit, brenda arkmortit ata dëgjuan disa goditje. E hapën dhe ajo çfarë panë ishte e pabesueshme. Guo Li ishte gjallë dhe nisi të qajë.

Familjarët e shoqëruan me shpejtësi në spital ku mjekët po e mbajnë në vëzhgim intensiv. Ata thonë se nuk kanë parë kurrë më parë një gjë të ngjashme dhe shtojnë se me shumë mundësi aftësia për të folur, kujtimet dhe lëvizshmëria e 45-vjeçarit janë dëmtuar rëndë nga goditja që ka pësuar.

Top Channel