“Incident” i ri ajror Greqi-Turqi, ministri i Mbrojtjes vizitë në ishullin Imia

30/01/2015 00:00

Ministri i ri grek i Mbrojtjes, nacionalist, ka detyruar rivalin shumëvjeçar Turqinë gjatë së premtes, vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës, të ngrejë në fluturim avionët e saj luftarakë, gjatë fluturimit në një ishull të pabanuar pranë brigjeve turke, që për pak sa nuk shkaktoi një luftë mes dy vendeve në vitin 1996.

Avionët luftarakë të Turqisë kanë hyrë në hapësirën ajrore të Greqisë dhe u shoqëruan nga avionët grekë deri në dalje, në një kohë kur ministri i Mbrojtjes, Panos Kammenos, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm ishin duke udhëtuar me helikopter në ishullin Imia, për të vendosur kurora me lule në kujtim të 3 oficerëve grekë të vrarë aty 19 vjet më parë, pas përplasjes së helikopterit.

Kammenos kryeson partinë euroskeptike të “Grekëve të Pavarur”, të krahut të djathtë, ndërsa episodi i fundit nënvizon edhe njëherë rrezikun se koalicioni me kryeministrin grek Alexis Tsipras, kreun e partisë së radikalëve të majtë Syriza, mund të ketë përplasje mbi një sërë çështjesh, por jo për dëshirën e përbashkët për t’i dhënë fund programit të shpëtimit të Greqisë.

Imia, një ishull i njohur nga turqit si Kardak, ndodhet vetëm 7 km larg brigjeve turke. Greqia dhe Turqia, të dyja vende anëtare të NATO-s, kanë pasur prej kohësh mosmarrëveshje mbi sovranitetin e tij dhe në vitin 1996 për pak sa nuk i shpallën luftë njëri-tjetrit për këtë shkak.

“Arsyeja përse ministri i Mbrojtjes shkoi atje ishte për të treguar patriotizmin e tij në nder të atyre që ndërruan jetë atje”, tha zëdhënësja e “Grekëve të Pavarur”, Marina Chysoveloni. “Askush nuk e kishte bërë një gjë të tillë përgjatë 19 viteve të fundit”.

Ankaraja nuk e ka konfirmuar faktin nëse avioni turk ka hyrë në hapësirën ajrore greke. “Janë marrë të gjitha masat e nevojshme të përkujdesjes nga ana jonë por, duke ditur që hapësira jonë ajrore nuk është shkelur, atëherë nuk ka pasur asnjë nevojë për reagim”, tha një zyrtar i Ministrisë së Jashtme turke.

Edhe pse ata ndajnë të njëjtën pikëpamje në lidhje me kushtet e shpëtimit të Greqisë, të vendosura nga Bashkimi Europian dhe FMN-ja, Syriza dhe “Grekët e Pavarur” janë tejet të ndara mbi një sërë çështjes, duke nisur nga feja e deri tek identiteti kombëtar.

Në një intervistë me gazetën turke “Sabah”, Tsipras tha se dëshironte të kishte bashkëpunim më të afërt me Turqinë. Ai pritet të vizitojë të hënën ishullin e Qipros, e ndarë etnikisht që kur Turqia pushtoi veriun e saj në vitin 1974, në kundërpërgjigje ndaj një grushti shteti nacionalist të frymëzuar nga grekët.

Top Channel