NATO, Stoltenberg: 6 njësi komando të përbashkëta në Europën Lindore

30/01/2015 00:00

Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s priten të bien dakord gjatë javës së ardhshme për të krijuar njësitë komando, me stafe ushtarake kombëtare dhe nga vendet e NATO-s, në 6 prej aleatëve lindorë europianë, si pjesë e një strategjie të re në kundërpërgjigje të krizës së Ukrainës, bëri të ditur shefi i NATO-s gjatë së premtes.

Me krijimin e njësive komando në Poloni, Rumani, Bullgari dhe tre vendet Baltike, do të hidhet kështu hapi më i vendosur dhe konkret i NATO-s me synimin për të treguar se aleanca do të mbrojë aleatët e saj lindorë, disa prej të cilëve janë tepër të irrituar në lidhje me synimet e Rusisë pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, mohoi se krijimi i këtyre njësive duhet të konsiderohet si provokues nga Rusia. “Gjithçka po bëjmë është në përputhje të plotë me detyrimet tona ndërkombëtare dhe hapat që po ndërmarrim janë me natyrë mbrojtëse, por edhe proporcionale”, tha ai gjatë një interviste për “Reuters”.

Vendosja e një numri të vogël ushtarësh të NATO-s në bazat ekzistuese nëpër vendet e Europës Lindore bëhet me kërkesë të Polonisë, pavarësisht se kjo e fundit kishte kërkuar një bazë më të madhe të aleancës në territorin e vet, gjithashtu krijon një prezencë simbolike të NATO-s dhe mund të ndihmojë aleancën të përforcojë me shpejtësi vendet që mund të përfshihen nga kriza.

Një diplomat i NATO-s tha se njësitet priten të konsistojnë në rreth 40-50 persona, të ndarë në mënyrë të barabartë mes ushtarëve nga vendi pritës dhe atyre të aleatëve të NATO-s. Njësitet do të organizojnë stërvitje dhe plane për përforcime nga NATO, nëse do të kërkohet.

NATO po punon për krijimin e një force të shpejtë reagimi, teksa disa elementë do të kenë mundësi të dislokohen brenda 2 ditëve, e që mund të dërgohen në Europën Lindore në raste emergjente.

Stoltenberg tha se situata në terren, në lindje të Ukrainës, është duke u përkeqësuar dhe separatistët janë duke fituar terren  falë “mbështetjes së fuqishme” që po marrin nga Moska.

Ai theksoi gjithashtu se NATO do të mbetet “aleanca më e fortë ushtarake në botë”, pavarësisht se Rusia ka shtuar shpenzimet ushtarake, përfshi ato bërthamore, duke shfaqur edhe njëherë synimin e vendosmërinë e Moskës për të përmirësuar aftësitë e saj.

“Ajo që shohim nga Rusia, kur bëhet fjalë për armët bërthamore, është thjesht në përputhje me panoramën e gjerë të modernizimit dhe investimeve të fuqishme të Rusisë në sektorin e mbrojtjes, mbi të gjitha për të pasur mundësi të zhvillojë më shumë stërvitje të parakohshme, por edhe dëshirën e tyre për të përdorur forcën”, tha ai.

Top Channel