“Feka”, Ushtria: Nevojë për reformim; kolegët të shokuar nga ngjarja

30/01/2015 00:00

Zyrtarë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë mendojnë se ngjarja e rëndë që ndodhi në Spanje, edhe pse nuk njollos tërë ushtrinë shqiptare është një sinjal për nevojën e madhe të reformimit të sistemit.

“Ngjarja ku gjeti vdekjen major Sokol Feka është një ngjarje e rëndë, e cila flet për domosdoshmërinë e reformimit të thellë që kemi ndërmarrë në të gjitha nivelet e drejtimit të FA. Është një ngjarje që flet po ashtu për rëndësinë e zbatimit të rregullave dhe proçedurave për daljet jashtë vendit të personelit ushtarak, si dhe nevojën që të rrisim më tej integritetin e të gjithë efektivëve tanë. Por po ashtu, askush nuk ka të drejtën morale të ngrejë gishtin e akuzës ndaj gjithë Forcave të Armatosura dhe efektivave të saj, për shkak se një pilot i efektivëve tanë u gjet i përfshirë në veprimtari të paligjshme jashtë kufijve të vendit”, ka deklaruar kolonel Flamur Hadushi, komandant i Forcave Ajrore.

Përballë regjimentit të helikopterëve të Farkës është vendi ku diskutimet për pilotin Sokol Feka janë kryefjalë në çdo tavolinë. 40-vjeçari njihej nga të gjithë aty, pasi çdo ditë pinte kafen me kolegët dhe jo vetëm.

Megjithatë, Avdi Daci, një ushtarak që nuk është më në detyrë e që e njeh Sokol Fekën prej 20 vjetësh, është i vetmi që pranon të flasë për të dhe më shumë nga të gjithë, ai është i shtangur nga implikimi i pilotit në histori droge.

“Jam i habitur. Ai numëronte qindarkat, s’kishte të paguante qiranë. Vinin qeraxhinjtë dhe kërkonin lekët e qerasë, ai thoshte se nuk kishte mundësi. Kishte ndryshuar disa punë, kishte kërkuar punë të tjera. Jam i shtangur se si përfundoi kështu”, thotë Avdi Daci, ish-ushtarak.

Të njëjtën gjë pohon edhe një djalë që shkëmbente batuta e pinte kafe me majorin e ushtrisë. “Nuk e di cfarë ka ndodhur dhe nuk di ç’të them. Jam i habitur”, thotë Dilaver Hoxha.

Deri më tani prokuroria e sheh veten jashtë hetimeve pasi sipas saj rrëzimi i helikopterit ka ndodhur në Spanjë dhe jo në Shqipëri e për më tepër piloti shqiptar ka humbur jetën.

Por jashtë hetimeve e sheh veten edhe Policia Ushtarake dhe Shërbimi Informativ Ushtarak me argumentin se nuk kanë patur ndonjëherë informacion paraprak që Sokol Feka të ishte përfshirë në aktivitet kriminal. Shtabi i Përgjithshëm ndërkohë reagoi duke paralajmëruar reformë në Forcat Ajrore.

Top Channel