Një pasdite me Edit Mihalin

30/01/2015 00:00

Intervista e kësaj jave me personazhin e ftuar në “Pasdite në Top Channel” ka qenë me një nga mjeshtret e mëdha, “Artiste e Merituar”, sopranon e njohur Edit Mihali.

Kontakti i parë me muzikën, që ju bëri të shkonit deri në fund me të?

Edit Mihali: Vendimi s’ka qenë i imi, 6 vjece nuk vendos kurrë një fëmijë, e aq më tepër për gjeneratën time. Vendimi është marrë nga prindërve e ndoshta edhe nënës sime, që kishte një njohje të rastësisht me artisten Vlora Leka. Ajo më provoi, unë dhashë konkursin dhe fitova për violinë në Liceun Artistik. Më pas vazhdova për kritike muzike, e vazhdimësia ka qenë e rrjedhshme, me ndonjë shtytje të rastësishme që unë të vazhdoja kanton. Jam diplomuar njëkohësisht në dy degë në Akademinë e Arteve, apo ish-Instituti i Lartë i Arteve. 7 vjec i kam mbushur kur kam hyrë në shkollë. Vite të kujtuara me shumë nostalgji, pasi jam lidhur me miqësi që në atë moshë dhe ka rezultuar e përjetshme. Unë jam rritur në konvikt për 7 vjet dhe sado që nuk kishte kushtet maksimale, shërbeu rregulli, disiplina, shoqëria, pedagogët e jashtëzakonshëm, që i kujtoj me shumë nostalgji. Vetëm një muaj më parë unë kam takuar mësuesen e klasës së parë, Suzana Hoxhën, e kisha kërkuar dhe rastësisht e takova, edhe pse ajo e dinte që unë po e kërkoja. Konvikti të bën shumë të shoqërueshme, të kalit për jetën dhe ta përballosh atë pasi fitoje disiplinë. Më pëlqente fakti që kur nxënësi hynte në shkollë, për 1 javë nuk mund të dilte nga territori i shkollës dhe konviktit, jo siç është Liceu sot, që mësimin e bën te Rruga e Elbasanit, ndërsa konviktin e ka te “Harry Fultz”.

A mund të konsiderohet Akademia e Arteve një periudhë e artë dhe pse?

Edit Mihali: Akademia e brezit tim është i artë, jo për ne studentët si persona apo si personalitete, që jemi bërë pas shkollës, por sepse në atë periudhë, personalitetet më të larta dhe vlerat e padiskutueshme të artit e kulturës shqiptare, kanë qenë pedagogët tanë: Cesk Zadeja, Tonin Arapi, Lluk Kacaj, Marie Kraja, Xhuzepina Kosturi, etj., si vlerat më të mira të Shqipërisë.

Si vendosët që të studionit edhe për kanto, vec violinës?

Edit Mihali: Kam ndryshuar shumë si natyrë, jo se nuk jam e përmbajtur, e tërhequr, e turpshme, por jeta më ka bërë të ndryshoj shumë, duke mos qenë si në fëmijëri. Kurrë nuk më kishte vajtur në mendje se do bëhesha këngëtare. Të jesh soliste e gjithë vëmendja është te ty, je në fokus dhe gjithmonë një. Unë kam qenë në korin e Liceut Artistik, me mjeshtrin Milto Vako, pa u zbuluar si soliste. Simon Gjoni ishte dirigjenti, kompozitori, që kam pasur fatin ta kem drejtor artistik në Lice, dhe në atë kohë funksiononin shumë mirë të gjitha institucionet artistike. Sa herë kishte kërkesa nga një institucion, Liceu përgjigjej menjëherë. Kështu bëri edhe me mua dhe disa të tjerë për në Akademinë e Arteve, ku menjëherë m’u propozua për të hyrë për kanto. Aty kuptova se kisha vlera për këtë gjë, edhe pse e dija që kisha lehtësira për të kënduar, por pa ditur nëse isha e aftë për të. Në moment nuk pranova të hyja në kanto, fillova shkollën e lumtur për kritikë, por me këmbënguljen e tyre dhashë një konkurs në dhjetor, në fund të simestrit të parë, e m’u dha e drejta për të vazhduar njëkohësisht të dyja. Sot kam dy diploma, fillimisht atë të kritikes dhe pas një viti mora atë të kantos. Tashmë me një profesion të kryer shumë mirë, sigurisht që pedagogët e parë dhe familja janë ndër shtytësit më të mëdhenj. Por mbi të gjithë do vecoja Marie Krajën, një zonjë e madhe në komunikim, që do të bënte edhe shumë kujdes kur të tërhiqte vëmendjen. Unë në atë kohë u dashurova me bashkëshortin tim dhe e kisha mendjen sa në dritare, mos më vinte… Maria më tha: Shiko se kur të biesh në krevat, me syrin e mendjes kaloji të gjitha lëvizjet që ke bërë gjatë ditës, se ndoshta do ta kuptosh se ku ke gabuar”, një mënyrë shumë delikate, e fisshme, e jo të të kritikonte drejtpërdrejtë.

A ka qenë Marie Kraja një frymëzim dhe model për ju?

Edit Mihali: Maria ka qenë model në të gjitha aspektet, sepse sot shumë pak ose rrallë shoh studentë që më vijnë në shtëpi. Ajo ishte shumë e përkushtuar, na thërriste në shtëpi dhe shpesh shkonim edhe për vizita, për konsulta, por edhe për të bërë mësim. Edhe kur mbarova studimet, kur isha soliste në TKOB, ajo ishte e përkushtuar që studentët ta nxirrnin në dritë punën që kishte bërë ajo. Maria ka qenë i një standardi tjetër. Ka shumë gjëra që e bëjnë atë me shumë vlera. Jam krenare që e kam pasur pedagoge.

Na flisni pak për periudhën si studente, kur dhe u dashuruat. A ka qenë bashkëshorti një shtysë?

Edit Mihali: Fillimisht ka qenë një pengesë, pastaj u bë shtytësi. Me natyrën e tij pak si xheloz, por edhe si posedues ndaj meje, që isha edhe dashuria e tij e parë, më thoshte që të vazhdoja studimet për kanto, por ai nuk dëshironte që të shkoja në TKOB. Duke qenë edhe ai vetë muzikant, e kishte këtë mentalitet pak arkaik. Sa i përket lidhjes, nuk ka qenë aspak dashuri me shikim të parë. Përkundrazi, kur e kam parë për herë të parë – ishim bashkë në një grup që do të shkonim në Kinë prej 100 vetash, që quhej Fronti Demokratik i Gruas e që mbahej i fshehur – dhe ai ishte në orkestër, kurse unë isha nxënëse. Kur bënim prova, kori është mbrapa, ndërsa orkestra para. E shihja që më kishte ngulur sytë, por thoja cfarë ka ky, më dukej i bezdisshëm. Pas disa kohësh u mësova, por në atë kohë më hoqën mua, më pas edhe atë sepse kishte qenë student në Ceki dhe konsiderohej i rrezikshëm, sepse mund të kishte pasur të dashur atje, ndërsa mua më hoqën për disa klecka të tjera. Prokopi ishte shumë i këndshëm në komunikim, ishte humoristik dhe i shkathët, pa komplekse e nismëtar për shumë gjëra sa që s’të linte rehat, por këmbëngulte jashtëzakonisht shumë dhe ia arriti. Të qenit në një shkollë, kontakti i përditshëm bëri punën e vetë. Diferenca është 15 vjet e 6 muaj. Nuk është pak, por nuk e kam ndierë, sepse Kopi ka qenë sportiv, më i shkathët se mua, e deri në 60 vjec është munduar të mbante një trup sportiv, duke ngrënë pak, duke bërë stërvitje në litar, vraponte etj. Tani e ka lënë, por nuk është ndierë diferenca e moshës. Sa i përket profesionit, ai ka qenë gjithmonë nxitës dhe shtytës, sepse i kishte kuptuar vlerat e mia. Kur unë mund të jem tërhequr ndonjëherë, ai gjithnjë më përkrahte. Ndryshe nga ai arkaiku që ishte në fillim, më pas ndoshta edhe nga rastësia e fletërrufesë që më nxorrën, me një fëmijë të vogël as 9 muajsh, Kopi u shqetësua shumë, sepse në atë kohë vuaje nëse të nxirrnin fletërrufe, ndaj dhe më dha konfirmimin që të shkoja të jepja konkursin në 1974-n. E prej 1975-s unë kam qenë soliste në TKOB.

Arsyeja më e fortë që e bëri të ndryshonte mendim? (Pas studimeve ju nuk shkuat të punonit në Opera…)

Edit Mihali: Ka qenë presion i madh dhe i vazhdueshëm nga disa personalitete, si Cesk Zadeja etj., të cilët i dinin aftësitë e mia dhe pikën e fundit e dha kjo fletërrufe, kur Kopi më tha ik prej këtej dhe shko e jep konkursin. Cdo e keqe e ka një të mirë nga pas. Ajo fletërrufe më hapi rrugën…

Veprat më të mëdha që keni luajtur dhe që nuk mund t’i harroni lehtë?

Edit Mihali: Artisti që vërtet e do profesionin ia dedikon jetën dhe cdo minutë. Jeton me të dhe nuk shkëputet kurrë nga profesioni, edhe kur është duke bërë ndonjë gjë tjetër. Për mua profesioni ka qenë vetë jeta ime. Dy gjëra kam më të vyerat në jetë: familjen dhe profesionin. E kam filluar me Mrikën, më të bukurën dhe më të vështirën vepër shqiptare, ndërsa Preng Jakova është kompozitori ndoshta më i shkëlqyeri dhe më i ndjeshëm që ka shkruar muzikën më të bukur të operave shqiptare. Ka shkruar Mrikën dhe Skënderbeun, ajo muzikë sa e bukur por edhe shumë e vështirë për një soprano, që të hapë karrierën me këtë. Por ishte një provë e imja. Avni Mula, një nga artistët tanë më të mirë, njohës i mirë, i tha Kopit që Mrika është një “kockë” që të ngel në fyt, ndaj dhe ajo ka bërë një realizim të suksesshëm të saj. Ky ishte suksesi im i parë, jo shumë i madh në publik, sepse ishte vepër e ezauruar, por ishte sukses në arenën e artistëve. Ndërsa suksesi i parë publik dhe kritik ka qenë Rozina, e para për të cilën kam edhe nostalgji të paparë. Ende i di të gjitha ato cfarë kam bërë në 1979-n, kur isha 28-29 vjec dhe cdo moment në skenë, lëvizjet dhe komunikimet apo provat, i mbaj mend të gjitha. Pas Rozinës është Traviata. Do ju shpjegoj dicka që nuk është sot, por është mirë ta dinë artistët e tjerë që vijnë sot në Opera, dhe që e gjejnë si fushë me lule. Sot në Teatër vihen disa premiera në vit, ose sikurse dhe 1 premierë e disa vepra në vit. Kurse atëherë nuk e kishe këtë mundësi. Nëse kam kënduar Rozinën në ’79-n, më janë dashur 4 vjet deri në ’83-shin që të prisja të vihej një vepër tjetër e huaj në skenë. Them e huaj sepse aty ke mundësinë të tregosh talentin dhe virtuozizmin e përgatitjen tënde teknike. Veprat tona janë shumë të bukura, por nuk kanë kërkesa kaq të mëdha teknike, mund të përballohen nga të gjithë, kurse Rozina të skarton, ashtu sikurse dhe te Violeta.

Cili është niveli i sotëm i sopranove, i brezit të ri? Si shihet prej jush dhe ç’mendim keni?

Edit Mihali: Nuk është shumë i frytshëm dhe i suksesshëm. Më vjen keq, por gjërat më mirë të thuhen. Kjo është për shkak të nivelit të shkollave, janë të dobëta. Vijnë në akademi me një solfezh katastrofal, solfezhi është matematika e muzikës. Ka pedagogë të dobët, që nuk kanë asnjë eksperiencë. Ka edhe të mirë, por nuk duhet që krahas tyre të vihen edhe pedagogë të dobët. Nuk ka përse të jenë dy studentë të privilegjuar me një pedagog shumë të mirë, të cilët e kanë ndoshta të siguruar të ardhmen, dhe të jetë një student tjetër, e ëma apo i ati i të cilit apo edhe ai vetë vjen me ëndrra në shkollë, por në fund ti përfundon duke mos bërë më gjë, sepse të ka ikur mosha. Mbaron një shkollë muzikore, pas të cilës nuk ke as të drejtë të futesh nëpër shkolla të tjera. Ndaj është një katastrofë. E gjithë vlera e së shkuarës është zbehur shumë, sepse mungojnë tashmë kriteret për t’u futur në shkollë si pedagoge, qoftë në shkollë të mesme, apo edhe në Liceun Artistik. Dikur kishe mjeshtra të këngës në Lice, kurse sot mund të kesh ndonjë, por jo të gjithë. Unë e kam vuajtur këtë të folurën e drejtpërdrejtë, pasi po këtu në Top Channel kam kërkuar dikur të shkoja pedagoge e brendshme në Lice, dhe sërish ngela e jashtme. Pavarësisht se ndoshta qëndroja edhe më lart nga ata që ishin, qoftë për nga karriera, por edhe për shkak se isha kërkuese dhe nuk pranoja kompromise me paaftësinë dhe mediokritetin.

Të flasim për postet drejtuese, ku e keni gjetur energjinë për të gjitha ato?

Edit Mihali: Për të qenë pranë Operas, mosha e bën punën e vetë. Jo se mua më heqin aftësitë, por sepse duhet t’u lësh vendin të rinjve në Teatër dhe duke qenë se i gjithë kombi shqiptar ka vetëm një TKOB, duhet të jesh xhentile dhe t’u lirosh vendin. Unë kam pasur fatin të zgjidhesha për të bërë Drejtorin Artistik në ’99-n, kur Teatrin e drejtonte Zana Cela, dhe qëndrova për 4 vjet. U bë një punë e jashtëzakonshme, sepse TKOB në 97-98 ishte në një krizë të jashtëzakonshme, kur mendohej edhe mbyllja e tij, si pasojë e mungesës së veprave. Kemi pas bërë 7 shfaqje në 364 ditë të vitit. Ishte një tronditje e madhe, katastrofë. Në atë kohë, ministër ka qenë kryeministri ynë aktual dhe sigurisht që ka qenë shumë i shqetësuar, e mbaj mend. Kemi bërë edhe takim në atë kohë dhe pasi ia kam thënë të gjitha ç’kisha, më pyeti i habitur vërtet i thoja këto gjëra? U ngrit problemi i të qenit të Operas në krizë dhe pas disa kohësh hiqet drejtori që ishte dhe u emërua Zana. Aty filloi suksesin Teatri pas kaq shumë vitesh. Në këtë moment, m’u propozua që të dilja në pension, por ish-ministri në atë kohë nuk e pranoi, madje duke thënë një shprehje që nuk do ta harroj kurrë: Nuk mund të dalin në pension Tefta Tashkot dhe Kadri Roshët! Me një respekt të jashtëzakonshëm për artistët e vendit. Ai më bëri të rikthehem në Teatër dhe që Zana më pas të më vinte Drejtore Artistike. Kur erdhi Zhani Ciko, unë nuk isha më sepse e mori vetë ai këtë ngarkesë, kurse unë u bëra Drejtore Muzikore, edhe pse bëja thuajse të gjithë atë punë që kisha bërë. Kështu deri në vitin 2010. Por, kjo nuk do të thotë që nga ’99 e deri në 2010 unë nuk kam dalë në skenë. Do t’iu përmend premiera absolute që unë i kam realizuar gjatë kësaj periudhe: Toska, Zëri njerëzor, Turandoti, Salomeja, apo vepra që i kisha kënduar edhe më parë. Nuk kam rreshtur kurrë së dali në skenë.

Si e kalon kohën e lirë sopranoja Edit Mihali?

Edit Mihali: Të hënë e të enjte jam në Akademi, pedagoge e jashtme. Ditët e tjera jam në TKOB dhe kam luftuar për gjithçka, edhe për shtëpinë që e kam afër TKOB. Shkoj e takoj ish-studentët e mi që janë artistë, si Mariana Leka, Sonila Baboci, që unë shkëmbej eksperienca, që ushtrohem edhe vetë. Koncertin e fundit e kam pasur më 20 mars 2014, me orkestrën e Operas së Shkupit. Unë e dashuroj shtëpinë, bëj maksimumin për t’i vënë rëndësi asaj. Bëj edhe ndonjë rezervim te veshja, të mos blej dicka, sepse dua që shtëpia të jetë e rehatshme, e bukur. Shpesh lexoj në shtëpi, vëllai më ka abonuar te Sky, që ka drita shkencore, historike, ka gjëra klasike, opera, koncerte të huaja, aty ku unë gjej shpesh qoshen time. Preferoj edhe filma të Agatha Christie, etj…

Top Channel