Hije dyshimi për ndikim të paligjshëm dhe konflikt interesi për ish-ambasadorin e SHBA në Kosovë

31/01/2015 00:00

“Një nga vendet më të varfra të Europës dëshironte ndërtimin e një autostrade. Me mbështetjen e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë është  kontraktuar kompania “Bechtel” në një projekt që shkonte 1.3 miliardë dollarë. Ajo që shqetëson në gjithë këtë është se autostrada Vermicë-Merdarë ka shfaqur probleme të shumta, ndërsa ish-ambasadori është duke punuar për “Bechtel”.

Kështu e ka nisur një artikullin investigues revista prestigjioze “Foreign Policy” në lidhje me përzgjedhjen e firmës që do të merrej me ndërtimin e autostradës Vermicë-Merdarë dhe me projektin e saj, ku sipas revistës, në përzgjedhjen e firmës amerikane dhe të projektit të autostradës një ndikim të madh ka pasur ish-ambasadori amerikanë në Kosovë, Christopher Dell, i cili është punësuar nga “Bechtel” pas largimit nga Kosova.

“Autostrada është përfunduar në vitin 2013 me një gjatësi rreth 77 kilometra dhe kostoja e saj ka shkuar rreth 1.3 miliardë dollarë, sipas një shifre zyrtare të publikuar nga qeveria e Kosovës. Ai ishte projekti më i kushtueshëm në historinë moderne të Kosovës. Por, sot autostrada përdoret vetëm në 1/3 e kapacitetit të saj”, shkruan “Foreign Policy”.

Revista shkruan se Christopher Dell ka mbështetur publikisht projektin e autostradës edhe pse institucionet ndërkombëtare kishin ngritur mjaft pikëpyetje mbi vlerën e rrugës, kontrata për të cilin është nënshkruar në prill 2010. Banka Botërore është shprehur se vetëm në 2 nga 9 segmentet e rrugës, në ato më afër Prishtinës, ajo do të ishte “ekonomikisht e qëndrueshme”, që do të thotë se përfitimi ekonomik do të ishte më i madh se kostoja.

Ish-ambasadori amerikan la Prishtinën në 2012 dhe mori një tjetër pozicion diplomatik, para se të dilte në pension në tetor 2013. Një muaj më pas, “Bechtel” e punësoi atë si një përfaqësues të tij në Mozambik. “Foreign Policy” thekson se firma amerikanë i kishte bërë një ofertë pune në korrik 2012 ambasadorit, një muaj para se ai u largua nga Kosova, në mes të ndërtimit të autostradës.

“Foreign Policy” ka tentuar të kontaktojë me Dell, por ai nuk ka pranuar të komentojë këtë histori, ndërsa Charlene Wheeless,  një përfaqësuese e “Bechtel”, e përshkroi si shpifje çdo ndikim të paligjshëm dhe konflikt interesi midis punës së Dell, si ambasador në Kosovë dhe ndihmës së dhënë prej tij ndaj punëdhënësit të ardhshëm. Ajo tha se Dell është punësuar në sajë të aftësive dhe përvojës së tij.

Kompania “Bechtel”, është kontraktuesi më i madh amerikan i ndërtimit dhe e treta në botë sipas raportit të hartuar nga “Engineering News-Record” dhe që vitet e fundit ka ndërtuar disa nga akset më të kushtueshme në Kosovë, Kroaci, Rumani dhe Shqipëri, ku ka ndërtuar “Rrugën e Kombit”.

Top Channel